Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, përmes një postimi në Facebook ka reaguar pas humbjes në zgjedhjet e djeshme në Poduejvë, shkruan Gazeta Sinjali.
Veliu ka thënë se respektojnë sovranin dhe votën e tij për ndryshim.
Tutje, Veliu ka thënë se kundërshtarët politikë nuk i konsiderojnë armiq.
Reagimi i plotë i Veliut:
Llapjanët folën dje. Kur flet sovrani të gjithë duhet të heshtin. Dega e LDK-së në Podujevë, që nga themelimi i partisë prej 31 vitesh, e pësoi humbjen e parë në zgjedhje. Është e rrallë për një parti demokratike të ketë besim aq të gjatë qytetar, të palëkundur dhe konsistent, në kohë të vështirë dhe ditë të mira.
E çmoj jashtëzakonisht shumë dhe përkulem para këtij besimi që na keni dhënë për gati 31 vite. Këtë besim e kam respektuar dhe do ta vlerësoj përgjithmonë.
Koha do ta dëshmojë se propaganda kundër meje dhe LDK-së ka qenë e fabrikuar dhe false.
Kundërshtarët politikë ne nuk i konsiderojmë armiq, siç na identifikojnë ata neve.
Sot është një ditë reflektimi për neve. Do ta analizojmë me kujdes humbjen në zgjedhjet lokale, do të identifikojmë dhe korrigjojmë mangësitë tona, do ta zgjerojmë ekipin konform nevojave të qytetarëve, për tu rikthyer triumfalisht në Podujevë në zgjedhjet e vjeshtës së ardhshme.
Sinqerisht!/Gazeta Sinjali/