Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, gjatë seancës plenare në Kuvendin e Kosovës, në lidhje me kazinot në fshatin Karaçevë, ka thënë se ato kanë qenë të hapura gjatë kohës sa ishte në qeveri lideri i VV-së, Albin Kurti, transmeton Gazeta Sinjali.
Veliu ka theksuar se kazinot janë ndërtuar të reja dhe kanë funksionuar pa pengesë.
“Po ta përsëris edhe një herë, është fakt i vërtetë që gjatë qeverisjes Kurti, në Karaçevë janë ndërtuar dhe kanë funksionuar pa pengesë të gjitha kazinot, janë ndërtuar të reja. Edhe një herë po e theksoj, po tash po të them edhe diçka tjetër, në muajin shkurt, unë nga shefi juaj (Kurti) kam kërkuar që të bëjmë një operacion në Karaçevë, në mënyrë që ta ndalojmë punën e kazinove, veprimtaritë e tyre, por shefi juaj nuk ka pranuar, shko pyete!”, tha Veliu.
Pas kësaj deklarate, deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, iu është kundërpërgjigjur Veliut, duke thënë se ai është shkarkuar nga Kurti, jo për mustaqet që i mban, por që është një person i paaftë për të qeverisur.