Ministri i shkarkuar dje, Agim Veliu, e ka quajtur kryeministrin Albin Kurti tradhtar, struc e frikacak.
“Tradhtia dhe sabotimi që ai përdori duke u munduar ta arsyetoj veprimin e tij prej struci e frikacaku, janë atribute që i takojnë atij”, ka shkruar ndër tjerash Veliu.
Veliu, duke iu referuar Kurtit si ministër në largim, ka thënë se partia e tij është anti-kosovare dhe anti-amerikane, shkruan Gazeta Sinjali.
“Albin Kurti, kryeministri në largim i Kosovës dhe kryetari i Lëvizjes anti-kosovare dhe anti-amerikane, në përpjekjen e tij të dëshpëruar për të fshehur, sipas zakonit ideologjik, arsyen e vërtetë të largimit të tij nga qeverisja e Kosovës, ka hedhur akuza ndaj meje”, ka shkruar Veliu.
Kujtojmë se kryeministri Kurti, ka shkarkuar dje nga pozita e Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliun, pasi sipas tij ka përhapur panik te qytetarët lidhur me koronavirusin./Gazeta Sinjali/