Wally Funk, pionierja amerikane e aviacionit dhe gruaja më e moshuar që kishte udhëtuar në hapësirë, ka vdekur në moshën 87-vjeçare.
Funk ndërroi jetë në apartamentin e saj në një qendër për të moshuar në Grapevine të Teksasit. Lajmi u konfirmua nga këshilltarja e qytetit dhe mikja e saj, Duff O’Dell.
Ajo realizoi ëndrrën e saj për të shkuar në hapësirë në vitin 2021, kur në moshën 82-vjeçare fluturoi me raketën “New Shepard” të kompanisë Blue Origin, së bashku me themeluesin e Amazonit, Jeff Bezos.
Në atë kohë, Funk u bë personi më i moshuar që kishte udhëtuar në hapësirë. Rekordi i saj u thye më vonë, por ajo vazhdoi të mbante vend të veçantë në historinë e eksplorimit hapësinor si gruaja më e moshuar që kishte realizuar një fluturim të tillë.
Në vitet 1960, ajo ishte njëra nga 13 pilotet e njohura si “Mercury 13”, të cilat iu nënshtruan testeve të ngjashme me ato të astronautëve meshkuj të NASA-s. Megjithëse i kaluan testet, grave nuk iu lejua të bëheshin pjesë e programit të astronautëve.
Jeff Bezos e nderoi Funkun përmes një mesazhi në rrjetet sociale, duke e cilësuar atë shembull të këmbënguljes dhe të ndjekjes së ëndrrave.
“Wally Funk priti 60 vjet për të shkuar në hapësirë dhe askush nuk e meritoi më shumë. Ajo u stërvit me Mercury 13 në vitin 1961, i tejkaloi burrat në teste dhe gjithsesi iu tha jo. Ajo kurrë nuk pushoi së fluturuari”, shkroi Bezos.
Ai kujtoi edhe fluturimin e tyre të përbashkët me raketën e Blue Origin.
“Pesë vjet më parë këtë muaj, pata nderin të fluturoja me të në fluturimin e parë me ekuipazh të New Shepard. Në moshën 82-vjeçare, ajo ishte e patrembur, e gëzuar dhe kërkonte të fluturonte përsëri para se të uleshim”, shtoi ai.
“Ëndrra e saj zgjati gjashtë dekada, por u bë realitet. Ëndrrat nuk kanë datë skadimi. Paç fat, Wally”, përfundoi Bezos.
Gjatë karrierës së saj shumëvjeçare, Funk grumbulloi mijëra orë fluturimi dhe trajnoi mijëra pilotë, duke lënë pas një trashëgimi të rëndësishme në aviacion dhe eksplorimin hapësinor.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!