Një 35-vjeçar nga Komuna e Ferizajt ka vdekur sot në Klinikën Infektive në Prishtinë, raporton Gazeta Sinjali.
Viktima dyshohet se ka qenë i infektuar me koronavirus.
Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Sinjali drejtori i Shëndetësisë në këtë komunë, Bekim Ademi, i cili njoftoi se i ndjeri në testin e parë ka rezultuar negativ për COVID-19, por mjekët për shkak të dyshimeve se testimi është bërë gabimisht e kanë testuar përsëri.
“Për një javë ka qenë i shtruar në Spitalin e Ferizajt pasi ka qenë i dyshuar me COVID-19. Ka qenë në oksigjenoterapi një kohë, pastaj është dërguar në trajtimin intensiv dhe qe një javë ka qenë i shtrirë në Klinikën Infektive në Prishtinë. Në testin e parë ka rezultuar negativ për koronavirus, por mjekët në Prishtinë kanë dyshuar që testi ka qenë gabim dhe e kanë ritestuar prap. Prandaj kemi qenë në pritje të rezultatit, por fatkeqësisht nuk ka mundur të mbijetojë”, u shpreh Ademi.
Lajmin për vdekjen e të riut fillimisht e ka kumtuar zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Avni Bytyçi, përmes një postimi në Facebook./Gazeta Sinjali/