Ka vdekur Muharrem Aliu, babai i kryetarit të Ferizajt, Agim Aliu, shkruan Gazeta Sinjali.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë kryetari i Ferizajt në Facebook ku ndër të tjera ka shkruar se babai i tij sypatrembur ua tregoj udhët e lirisë luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Aliu tutje ka njoftuar se varrimi i babait të tij do të mbahet nesër në varrezat e fshatit Balaj në orën 16:30.
Postimi i plotë:
Lamtumirë, Babuqi im!
Sot, na theve zemrën me ikjen tënde, Babë!
Babë, mirësia e sinqeriteti yt ishin rruga që vet ndoqe e na trasove ne, familjes tënde, ishe i pandalshëm edhe në acaret më të mëdha, edhe në vapën më përcëlluese që ne, fëmijëve tu e familjes, mos t’i mungonte asgjë.
Babë, përjetove dy herë burgun e motrës e një herë të djalit, por asnjëherë zemra e trimëria jote nuk u mposht. Babë, udhët e lirisë ia tregove, sypatrembur, luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Babë, unë djali yt dhe gjithë familja jote, jemi zemërthyer sonte. Ne mësuam nga ti, të punojmë e jetojmë ndershëm, kokëlartë e me dinjitet ta ndihmojmë njëri-tjetrin.
Atje lartë në qiell, shohim sytë e tu që na shohin gjithnjë, edhe nga lartë kemi kujdesin tënd. I parajsës është shpirti yt i bardhë e vepra që na le pas ne, familjes tënde, si kujtimi më i shtrenjtë që ta përcjellim ndër breza.
Bashkëqytetarë, miq, familjarë, nesër në ora 16:30 në varrezat e fshatit Balaj, i japim lamtumirën e fundit babait tim, Muharrem Aliu.