Një qytetar nga Prizreni mbrëmjen e kaluar ka ndërruar jetë si pasojë e shpërthimit të bombolës së oksigjenit, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas djalit të viktimës, në orët e mëngjesit viktima ishte duke u trajtuar me oksigjen dhe në ato momente ka pëlcitur bombola e oksigjenit. Ai thotë se menjëherë ka lajmëruar teknikët dhe si pasojë e kësaj është dashur që të kërkojnë për oksigjen në dhomat tjera të spitalit, teksa gjendja e viktimës rëndohej edhe më shumë.
“Momentet problematike me babin janë shfaq në orën 5:30 të mëngjesit, kur ajo boca që bën filtrimin e oksigjenit ka pëlcitë. Në ato momente babi ka mbetë pa oksigjen që është shumë kritike për një të sëmurë me Covid-19 të shtrirë në spital me probleme me frymëmarrje. Unë është dashtë me dalë jashtë me kërkuar ndihmë te teknikët. Kam dalë jashtë dhe për 5 ose 6 minuta nuk kemi mund me gjet një zëvendësim për atë gotën e filtrimit …Kem lypë nëpër dhomat e tjera ku ka pas pacientë të shtrirë që me marrë e me zëvendësua e që nuk ka pas zëvendësim”, tha ai në Kanal 10.
Ai tregoi se pasi që kanë rregulluar çështjen e furnizimit me oksigjen i është përmirësuar gjendja shëndetësore e viktimës. Po ashtu ai tregon që mjeku kujdestar ka tentuar që pacienti të dërgohet në Klinikën Intensive, por viktima nuk ka pranuar.
“Pas 10 ose 15 minutave ka ardhur mjeku i turnit të natës. Ai tha se duhet me shkua në dhomë emergjente intensive. Ai ka insistua që me e dërgua në dhomë intensive. Babi me vullnetin e tij na ka thënë që s’do me shkua. Sepse me shkua në Intensivë u dashtë me i kalu goxha do metra të gjata me shtrat lëvizës dhe ajo kohë u kon kritike deri te vdekja”, rrëfen djali i të ndjerit.
Ai tregon se me insistimin e plotë të mjekut kujdestar ka pranuar që të dërgohet babai i tij në klinikën Intensive edhe pse oksigjeni që e kishin nuk ishte i mjaftueshëm.
“Doktori ka insistuar që gjithqysh me u bo transporti prej dhomës numër 3 ORL në Intensivë me një bocë të oksigjenit portative të cilën ne e kemi përdorë një ditë më herët. Babi me bocën e njëjtë ka shkua deri në banjo. Ajo bocë nuk u kon e mjaftueshme me mbuluar me oksigjen babin për me bo lëvizjen deri në banjo 15 metra dhe kthim pas deri te oksigjeni stabil i dhomës.
I kam thënë mjekut që ajo nuk është e mjaftueshme për me çuar në intensivë, mjeku ka insistua që saturimi është poshtë dhe që ‘s’po leni me bo punën si duhet’. Edhe pse babi ka refuzua unë jam pajtua. Mjekët e kanë marrë me dërguar me saturim 59 ose 60. Gjatë transportit të babit prej dhomës deri te Intensivi saturimi i ka shkua babit 43.
Kur kemi shkua te ashensori ata s’kanë qenë të përgatitur. S’kanë pasur as kartelë me të cilën munden me çelë ashensorin dhe me hy brenda. Ne u dashtë para derës së ashensorit me prit për 3 ose 4 minuta derisa e kanë marrë një kartelë me çelë derën. Babi ka qenë në gjendje të vështirë në ato raste”, shpjegoi ai.
Ai tregon që është dashur të presin para se të hyjnë në ashensor sepse nuk ishte duke punuar. Pasi që kanë hipur në katin e mësipërm, ai tregon se dera e ashensorit nuk hapej e që babai i tij ndërroi jetë pasi që oksigjeni nuk ishte i mjaftueshëm.
“Kemi hyp në ashensor unë babi dhe mjeku i turnit të natës që s’ja di emrin. Kemi tentuar me shkuar lartë por s’ka punuar lifti, s’ka punuar kartela s’di ku ka qenë problemi. Kur kemi mbërri një kat më lart lifti nuk është hapë dhe ne kemi mbet brenda në lift për 5 deri 7 minuta me babën me një gjendje kritike dhe me një bocë që unë i kam tregu mjeku paraprakisht që nuk është e mjaftueshme për babën. Edhe pse saturimi ka shkua duke u zbrit gradualisht me qëndrimin brenda liftit për 5 deri 7 minuta boca është ndalë krejt. S’ka pas oksigjen mjaftueshëm. Fatkeqësisht babi në ashensor më ka ndërruar jetë”, theksoi ai.
Ai tha se rastin e kanë lajmëruar në polici./Gazeta Sinjali/