Një ngjarje tragjike ka ndodhur dje në fshatin Studenqan të Suharekës, ku 51-vjeçari Nusret Mustafa ka humbur jetën në vendin e tij të punës, raporton Gazeta Sinjali.
Lidhur me rastin, ka rënë në prangat e Policisë pronari i kompanisë së gurthyesit ‘Flori’, Bujar Binaku.
Binaku është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit dhe me urdhër të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit policor.
I njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës’.
Por si ka ndodhur ngjarja?
Nusret Mustafa dyshohet se vdiq pasi e zuri makina të cilën po e testonte në gurthyesin ‘Flori’ ku po punonte. Pavarësisht se kolegët e tij intervenuan menjëherë ta ndalin makinerinë, ai humbi jetën në vend.
I ndjeri është dërguar në Emergjencën e Suharekës pa shenja jete, ku ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e tij, teksa në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë përkatëse.
Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Prizren dhe kanë njoftuar se me urdhër të Prokurorit të Shtetit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.