image Vazhdon takimi i Vitisë me Tërnavën, sekretari i BIK-ut tregon se a do të falet namazi i xhumasë

Kosovë

Pandemia/ Vazhdon takimi i Vitisë me Tërnavën, sekretari i BIK-ut tregon se a do të falet namazi i xhumasë

news image

Namazi i sotëm i xhumasë do të falet rregullisht nëpër të gjitha xhamitë e Kosovës, pavarësisht se kjo ishte në diskutim për shkak të masave parandaluese për përhapjen e pandemisë Covid-19, raporton Gazeta Sinjali.

Momentalisht është duke u zhvilluar një takim ndërmjet ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia dhe kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnavës, ku po diskutohet falja në xhami e namazeve të përjavshme të xhumasë dhe atyre ditore.

Sekretari i BIK-ut, Ahmet Sadriu ka thënë për Gazetën Sinjali se vendimi do të bëhet publik pas takimit, përmes një konference për media.

“S’kemi vendim që të mos falet xhumaja, sot falet. Unë nuk jam në takim. Jam me punë tjera duke u marrë. Pas takimit është paraparë të ketë një konferencë për shtyp. Vendimi do të jetë publik. Diskutimi po bëhet për xhumatë dhe namazet tjera”, ka thënë Sadriu.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dje në një konferencë të jashtëzakonshme ka pohuar se do të koordinohet me BIK-un për një vendim.

“Me Bashkësinë Islame do të vëmë kontakt qysh sot dhe do të koordinohemi në këtë drejtim në më të mirën e qytetarëve dhe besimtarëve në këtë rast”, ka thënë Vitia.

Bashkësia Fetare Islame në Maqedoni ka vendosur që namazi i xhumasë të falet në xhami, derisa namazet tjera besimtarët t’i kryejnë në mënyrë individuale në shtëpitë e tyre.

Në Kosovë ende nuk është konfirmuar asnjë pacient i infektuar me koronavirus, derisa qeveria ka ndërmarrë një sër masash për parandalimin e kësaj pandemie, përfshirë mbylljen e shkollave deri më 27 mars. /Gazeta Sinjali/