Forcat amerikane kanë përdorur gazin lotësjellës për të shpërndarë demostruesit pro-iranian, para kompleksit të Ambasadës së SHBA-së në Bagdad të Irakut.
Dhjetra pjesëtarë të një grupi militant pro-iranian, dhe pëkrahësit e tyre, kanë qëndruar gjatë tërë natës para ambasadës amerikane.
Ata po protestojnë ndaj një sulmi ajror të SHBA-së në caqet e këtij grupi në Siri dhe Irak, më 29 dhjetor të vitit 2019.
Shtetet e Bashkuara kanë thënë se kanë kryer “sulme precize të mbrojtjes” kundër pesë shënjestrave në Irak dhe Siri, që kontrollohen nga grupi paramilitar Kata’ib Hizbullah, që përkrahet nga shiitët iranianë.
Ky grup konsiderohet terrorist nga Shtetet e Bashkuara.
Të zemëruar më këto sulme, protestuesit sulmuan ambasadën amerikane në Bagdad.
Për këtë incident, presidenti i SHBA-së, Donald Trump e fajësoi Iranin.
Trump tha se Irani “do të paguajë një çmim shumë të madh”.
“Ky nuk është një paralajmërim, por një kërcënim”, tha presidenti Trump.
Teherani mohoi që ishte prapa protestave të dhunshme.
Sekretari amerikan i mbrojtjes, Mark Esper, më pas, njoftoi se rreth 750 ushtarë menjëherë do të vendosen në rajon.
Rreth 5.000 trupa amerikane tashmë janë prezente në Irak.
“Shtetet e Bashkuara do të mbrojnë njerëzit tanë dhe interesat kudo që gjenden, në të gjithë botën”, tha Esper.
Protestuesit u panë duke mbajtur flamuj të Kata’ib Hizbullah.
Sulmi ndaj Ambasadës së SHBA-së në Bagdad, mund të jetë më i dhunshmi që nga sulmi i vitit 2012 ndaj një kompleksi diplomatik në Bengazi, Libi. Katër amerikanë, përfshirë ambasadorin Christopher Stevens, u vranë në atë sulm. /Gazeta Sinjali/