image Vazhdojnë reduktimet 12-orëshe të ujit/ Banorët e "Bajram Currit" në Prizren protestojnë edhe nesër

Sociale

Vazhdojnë reduktimet 12-orëshe të ujit/ Banorët e “Bajram Currit” në Prizren protestojnë edhe nesër

news image

Banorët e lagjes “Bajram Curri” në Prizren kanë vendosur që të premten nga ora 13:00 të protestojnë para zyrave të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidroregjioni”, në këtë qytet, raporton Gazeta Sinjali.

Vendimi i Këshillit të banorëve për protestë erdhi pas shumë kërkesave që ata ia kanë adresuar ujësjellësit për reduktimet e ujit deri në 12 orë në ditë, por për të cilat thonë se nuk morën asnjë përgjigje.

Madje, ata thonë se nuk morën përgjigje as pas protestës së të hënës.

Përmes kësaj proteste, ata kërkojnë që të kenë furnizim të rregullt me ujë, rritje të shtypjes së ujit dhe rishikim të faturave.

“Edhe pas protestës së fundit, nuk gjetëm bashkëpunim dhe zgjidhje me kompaninë e Ujësjellësit ‘Hidroregjioni’, dhe si pasojë e kësaj Këshilli i Bashkësisë Lokale, ka vendosur që nesër (e premte) me datë 14.01.2022 në ora 13:00 do të protestohet përsëri para zyrave të kompanisë. Tri kërkesat do të jenë: 1.Furnizim i rregullt me ujë ose reduktime proporcionale me lagjet e tjera, e jo vetëm lagjja jonë të diskriminohet. 2.Rritja e presionit(shtypjes) së ujit. 3.Rishikimi i faturave të fryra, si pasojë e reduktimeve”, thuhet në njoftim.

Gazeta Sinjali në vazhdimësi ka raportuar për reduktimet e shpeshta dhe të gjata të ujit me të cilat përballen banorët e kësaj lagjeje./GazetaSinjali/