image Vazhdojnë protestat në Shqipëri kundër ligjit "anti-shpifje"

Censura/ Vazhdojnë protestat në Shqipëri kundër ligjit “anti-shpifje”

news image

Dhjetëra studentë të Rezistencës Rinore kanë protestuar sot në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” para Kryeministrisë kundër censurës. Një ditë pasi parlamenti miratoi paketën antishpifje, studentët janë organizuar për të kundërshtuar këtë paketë që i jep kontroll më të madh AMA-s dhe AKEP-it mbi mediat.

Të rinjtë kanë vendosur disa televizorë në tokë, pranga e etiketa ‘gjobë’ dhe më pas janë shtrirë rreth tyre me shirita të zinj në gojë e pankarta të shumta me mesazhe kundër censurës.

Më pas ata i kanë hedhur në kazanët e mbeturinave që janë të vendosur anash kryeministrisë.

Arben Meta, një prej përfaqësuesve të rezistencës shpjegoi dhe simbolikën e përdorur dhe iu bëri thirrje atyre që e mbështesin paketën anti shpifje të mendojnë për fëmijët dhe nipat e tyre.

“Rikthim i nenit 55 të Republikës Popullore të Republikës së Shqipërisë për agjitacion e propagandë. Ky ligj ishte një nga arsyet që diktatura qëndroi aq gjatë në këmbë. Dy janë shtyllat kryesore të demokracisë: e para është gjykata dhe drejtësia që ne e dimë si ka përfunduar dhe e dyta është media e lirë që ne po e shikojmë se si po e pëson. Këta televizorë janë për t’i treguar zotit Kryeministër që në qoftë se ne para disa viteve kishim vetëm një kanal që ishte TVSH sot kemi një kanal televiziv nga i cili do përcillen të gjitha lajmet që është ERTV. Këtë nuk mund ta pranojmë, ndryshe ne do t’i kthenim kurrizin aspiratës sonë për në BE. Kam një mesazh për të gjithë mbështetësit e kësaj pakete, mendoni për fëmijët tuaj. Ky është kthim i një diktature moderne”, tha përfaqësuesi i studentëve.