image Varroset Kujtim Kastrati nga Rahoveci, familjarët: Kjo nuk është tragjedi vetëm e jona, por edhe e kombit

Sociale

Varroset Kujtim Kastrati nga Rahoveci, familjarët: Kjo nuk është tragjedi vetëm e jona, por edhe e kombit

news image

Është varrosur, Kujtim Kastrati, bashkatdhetari që humbi jetën në aksidentin e javës së kaluar në Kroaci.

Familjarë, miq dhe qytetarë janë mbledhur në Malësi të Vogël të Rahovecit për t’i dhënë lamtumirën e fundit, Kujtimit, i cili la pas vetes dy fëmijët.

Vdekja e të ndjerit po përjetohet rëndë nga familjarët, megjithatë shprehin falënderime për qeverinë për kujdesin ndaj viktimave dhe të lënduarve në aksidentin me autobus në Kroaci.

Sadik Kastrati, axha i Kujtimit, tha se tragjedia që ndodhi të dielën e javës së kaluar është kombëtare, jo vetëm e familjes së tyre.

“Kjo nuk është tragjedi vetëm e jona, por edhe e kombit. E falënderoj edhe qeverinë, që për hir të popullit ditën e hënë ka pasur ditë zie. S’kemi çka të flasim. Falënderime, dhimbja mbetet dhimbje”, tha ai për KP.

Edhe familjarë të tjerë jashtë kamerës, shprehën dhimbjen për vdekjen e të afërmit të tyre.

Pjesë e ceremonisë së varrimit ishte edhe kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, i cili tha se ngjarja tragjike e së dielës ka goditur rëndë gjithë popullin tonë.

“Po e mbulojmë me dheun e Kosovës Kujtimin, i cili është pjesë e tragjedisë ku humbën jetë edhe 9 qytetarë tjerë. Tragjedia që ndodhi e ka goditur tërë kombin tonë”, tha ai.

Kujtim Kastrati së bashku me nëntë bashkatdhetarë humbën jetën mëngjesin e së dielës, kur autobusi me të cilin po udhëtonin nga Frankfurti, humbi kontrollin dhe u rrokullis jashtë rrugës./Gazeta Sinjali/