image Situatë e rënduar nga përmbytjet në Kosovë, kryetarët flasin për gjendjen

Kosovë

Situatë e rënduar nga përmbytjet në Kosovë, kryetarët flasin për gjendjen

news image

Shumë qytete të Kosovës po përballen sot me gjendje të rënduar si pasojë e përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet e shiut.

Reshjet kanë shkaktuar vërshime të mëdha në disa fshatra të komunave të Rahovecit, Klinës, Malishevës dhe Pejës, aty ku gjendja duket të jetë më e rënduar dhe dëmet më të mëdha.

Si pasojë e reshjeve disa lumenj dhe përrenj të këtyre zonave kanë dalë nga shtretërit e tyre duke shkaktuar përmbytje të zonave të banimit.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, ka dalë me një paralajmërim shtesë për qytetarët e këtyre zonave duke thënë se reshjet pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

Sinjali ka kontaktuar me kryetarët e komunave të Rahovecit dhe Klinës të cilët thanë se gjendja aktuale është më stabile dhe ekipet komunale po bëjnë gjithcka që është e mundur që t’u dalin në ndihmë qytetarëve.

Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi tha për Sinjalin se në këtë komunë gjendja aktualisht është stabilizuar teksa thotë se autoritetet lokale po u dalin në ndihmë qytetarëve me të gjitha kapacitetet.

“Gjendja është stabilizuar për momentin. Dëmet nuk i dijmë tani, ne po u dalim në ndihmë qytetarëve me aq sa kem sepse e kemi për detyrë”, tha Latifi për Sinjalin.

Në anën tjetër i pari i Klinës, Zenun Elezaj tha se të gjitha ekipet janë në terren përfshirë edhe atë personalisht.

Elezaj për Sinjalin thotë se prioriteti aktual është që të evitohen viktimat në njerëz teksa potencoi se pas stabilizimit të situatës do të vlerësohen dëmet e shkaktuara nga përmbytjet.

“Ka rritje të nivelit të lumenjëve shumë, ka edhe vërshime në zona të caktuara, por jemi në terren. Po shihet një stagnim, po shpresoj që do të bjerë niveli për pak, po shpresoj që së shpejti do të qetësohet situata. Ne jemi në ndihmë, jemi në terren, unë personalisht jam në terren. Faktikisht njëherë vetëm me i rujt jetët e njerëzve mos me pas viktima. Më vonë do të formohet komisioni dhe do të vlerësohen dëmet, për momentin është e vështirë të vlerësohen dëmet”, tha Elezaj për Sinjalin.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/