image Varga: Regjimi i Vuçiqit po e rinovon idenë ‘Bota Serbe’ sipas modelit ‘Bota Ruse’

Rajon

Varga: Regjimi i Vuçiqit po e rinovon idenë ‘Bota Serbe’ sipas modelit ‘Bota Ruse’

news image

Politikologu dhe gazetari serb Boris Varga në një intervistë për The Geopost ka thënë se mediet në Serbi janë përgjegjëse për krijimin e idesë “Serbia e Madhe” dhe se me ardhjen në pushtet të Aleksandar Vuçiqit, ideja “Bota Serbe” po rinovohet sipas modelit të “Bota Ruse”.

Varga thekson se “Bota Serbe” është një eufemizëm politik që u pasua nga ndërhyrja e NATO-s në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë.

“Që nga ardhja në pushtet e Partisë Progresive Serbe dhe Aleksandar Vuçiqit, ideja e ‘Serbisë së Madhe’ si ‘Botë Serbe’ është rinovuar, e modeluar sipas një ideje të ngjashme në Rusi të quajtur ‘Bota Ruse’ e cila, së bashku me imperializmin euroaziatik, përdoret si ideologji nga Vladimir Putin”, thotë Varga.

Sipas tij, gjatë viteve ’80-ta, mediet në Serbi e kanë përgatitur opinionin për krimet më të rënda serbe në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovë.

“Mediet në Serbi janë më përgjegjëse për krijimin e idesë së një ‘Serbie të Madhe’, por edhe të një ‘Bote Serbe’. Gjithçka me pretekstin e rrezikimit të popullit serb, në republikat fqinje në fund të viteve 1980, media përgatiti opinionin për krimet më të rënda në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovë”, thekson ai.

Gazetari vojvodinas thotë se pavarësia e Kosovës ishte arsyeja e kthimit të politikës nacionaliste dhe ekspansioniste të Serbisë në rajon dhe kthimi i Beogradit drejt Rusisë.

“Gjatë viteve 2000, në Serbi nuk ka pasur ballafaqim me të kaluarën, lustrimin dhe përgjegjësinë e atyre që krijuan një realitet të ri në media dhe nxitën popullin serb në luftëra. Pavarësia e Kosovës ishte arsyeja e kthimit të politikës nacionaliste dhe ekspansioniste të Serbisë në rajon dhe kthimi i Beogradit drejt Rusisë. Pra, mediet e kontrolluara nga shteti, përkatësisht shërbimet publike shtetërore dhe tabloidët, u ngarkuan edhe një herë për të rikthyer ideologjinë e viteve ’90 në diskursin publik. Në këtë, merr pjesë aktive edhe Rusia, e cila përmes “fuqisë së butë” investon shumë në propagandë dhe ndikim në media”, thotë ai.

Në fund, Varga pohon se perëndimi duhet të kërkoj shfuqizimin e medieve ruse në Ballkan.

“Ashtu si BE-ja që vendosi të shfuqizojë kanalet ruse shtetërore dhe propaganduese në territorin e saj, ashtu edhe Perëndimi duhet të kërkojë shfuqizimin e mediave ruse luftnxitëse në Ballkan dhe të insistojë në medie të lira, veçanërisht në Serbi”, përfundon Varga.

/GazetaSinjali/