Për herë të parë në 25 vjet Donald Trump është jashtë listës së klasifikimit të Forbes për 400 njerëzit më të pasur të Amerikës. Pasuria e ish-presidentit amerikan arriti në 2.5 miliardë dollarë, pra 400 milionë nën pragun e nevojshëm për të hyrë në listën prestigjioze.
Që nga viti 1997 deri në 2016, para se të shkonte në Shtëpinë e Bardhë, manjati kishte mbetur lart në krye të tabelës.
Sipas Forbes, pasuria e Trump mund të ishte të paktën 7 miliardë dollarë sot, por dy faktorë i kushtuan shtrenjtë ish –presidentit. Nga njëra anë vendimi për të mos investuar një pjesë të madhe të aseteve të tij, nga ana tjetër pasojat e pandemisë në asetet e pasurive të paluajtshme dhe humbja e vlerës së Kullave Trump.
Forbes shkruan se personi më i pasur në Amerikë, për të katërtin vit radhazi, është Jeff Bezos me 201 miliardë dollarë pasuri, 22 miliardë dollarë më shumë se vitin e kaluar.
Në vendin e dytë është Elon Musk, me një pasuri prej 190.5 miliardë dollarësh, pothuajse trefishi i asaj që vlente në listën e vitit 2020, për shkak të rritjes së madhe të çmimit të aksioneve të kompanisë së makinave elektrike Tesla.
Mark Zuckerberg zuri vendin e tretë, falë një rritjeje prej 63% të aksioneve të Facebook që nga lista e vitit të kaluar. Bill Gates renditet në vendin e katërt, hera e parë që ai nuk ka qenë në një nga dy vendet e para në tre dekada. Melinda French Gates shfaqet në Forbes 400, për herë të parë këtë vit, në Nr. 158 me një vlerë prej 6.3 miliardë dollarë.
Në listën e Forbes të 400 amerikanëve më të pasur, pasuria kolektive e anëtarëve u rrit për 40%, në 4.5 trilionë dollarë nga 3.2 trilionë dollarë sa ishte vitin e kaluar. Pothuajse të gjithë janë më të pasur se një vit më parë.
Forbes llogariti pasuritë neto, duke përdorur çmimet e aksioneve nga 3 shtatori 2021, të cilat dolën të ishin afër niveleve rekord për indekset e aksioneve amerikane./Gazeta Sinjali/