image Vaksinimi antiCOVID nis këtë të diel në BE, normaliteti jo para verës

Evropë

Vaksinimi antiCOVID nis këtë të diel në BE, normaliteti jo para verës

news image

Gjersa imunizimi kundër koronavirusit pritet të nisë këtë të diel në vendet e Bashkimit Evropian, doktori Tobias Welte, nga Qendra gjermane për Sëmundje Infektive, nuk është optimist se normaliteti do të kthehet përpara verës, transmeton Gazeta Sinjali.

Pfizer/BioNTech është e sigurt dhe parandalon sëmundjen e rëndë nga koronavirusi, por Welte paralajmëron se jo gjithçka është “bardh e zi” dhe se efektet afatgjate të vaksinës duhet të monitorohen.

Ai ndërkohë porosit ata që kundërshtojnë vaksinimin se parandalimi i përhapjes së koronavirusit “është përgjegjësi sociale”.

Por, Welte bën edhe dallimin mes asaj që ka bërë SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar dhe asaj që ka bërë BE-ja. SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar sipas tij, kanë bërë të ashtuquajturin pranim emergjent të vaksinës.

Në këtë rast, nëse paraqiten efekte anësore, ju si pacient që jeni vaksinuar, jeni vetë përgjegjës – thotë ai. Ndërsa BE, në anën tjetër, ka bërë pranimin profesional të vaksinës. Kjo do të thotë se për çfarëdo efekti anësor, përgjegjëse janë kompanitë farmaceutike. Nga perspektiva epidemiologjike, tri javë më herët ose tri javë më vonë nuk bëjnë ndonjë ndryshim.

“E dimë se në një periudhë afatshkurtër, vaksina është e sigurt, është efikase. Por, ne nuk kemi të dhëna afatmesme apo afatgjate. Çdo herë mund të ndodhin efekte anësore. Këto janë gjëra që tani për tani nuk i dimë, andaj duhet ta përcjellim me kujdes programin e vaksinimit kundër koronavirusit. Ajo që mund të themi është se me përvojën që kemi tani, vaksina është e sigurt. Ajo që do të vijë më vonë, duhet të vëzhgohet” – tha ai për REL duke shtuar se vetëm në verë shumica e popullatës do të jetë vaksinuar.

Sipas tij, atëherë pritet edhe kthimi në normalitet e ndërkohë duhet vazhduar me masat mbrojtëse si maskat dhe distanca.

/Gazeta Sinjali/