image Vaksinimi masiv i popullsisë nis javën e ardhshme

Shëndetësi

Vaksinimi masiv i popullsisë nis javën e ardhshme

news image

Derisa është duke vazhduar vaksinimi i popullsisë sipas planit të ministrisë, ka nisur edhe vaksinimin i personave edhe me dozën e dytë të vaksinës antiCOVID, transmeton Gazeta Sinjali.

Ministria e Shëndetësisë në një përgjigjje për Sinjalin ka bërë të ditur se i ka kryer të gjitha përgatitjet që procesi i vaksinimit masiv të popullsisë të nisë javën e ardhshme, shkruan Gazeta Sinjali.

Aktualisht është duke u punuar me 89 ekipe të vaksinimit, ndërsa pritet që MSh të bëjë shtimin e kapaciteteve të ekipeve të vaksinimit deri në 279 ekipe.

“Në kuadër të Planit të Veprimit, parashihet rritja e kapaciteteve, që nënkupton rritjen e ekipeve të vaksinimit nga 89 sa janë aktualisht në 279. Është përfunduar konkursi për 422 infermierë shtesë, do të angazhohen edhe 190 specializantë në vaksinim”, thuhet në përgjigjen e MSh-së për Sinjalin.

Ministria ka siguruar edhe pajisjet dhe mjetet e nevojshme ndihmëse për stafin mjekësor.

“Vaksinat janë siguruar aktualisht dhe pritet ardhja edhe e vaksinave tjera. Është ndërtuar Moduli i vaksinimit në Sistemin e Informimit Shëndetësor si dhe janë shtuar hapësirat e reja të vaksinimit në 30 komuna të Kosovës”.

Sipas MSh-së, procesi i vaksinimit masiv pritet të nisë javën e ardhshme.

“Janë kryer edhe përgatitjet tjera logjistike që procesi të nisë javën tjetër”, thuhen në përgjigjen e MSh-së.

Aktualisht është duke u bërë vaksinimi i personave me sëmundje kronike, personave mbi 65 vjeç. Nga MSh-ja kanë thënë se do të vazhdohet pastaj me mësimdhënësit, shërbimet e sigurisë që janë të ndërlidhura me menaxhimin e COVID-19, për të vazhduar pastaj me kategoritë tjera.

Derisa pritet që të vijnë vaksinat e kontraktuara me Pfizer, kujtojmë se deri tani Kosova ka pranuar tre kontigjente të vaksinave nga COVAX, me rreth 160 mijë vaksina, gjashtë kontigjente tjera nga Bashkimi Evropian si dhe 10 mijë vaksina tjera si donacion nga Kroacia./GazetaSinjali/