Shpeshherë të rinjtë e kanë të vështirë të pranojnë ndarjen nga partnerët e tyre. Ata nuk zgjedhin formë për të provuar që të kthehen sërish bashkë, e madje nuk i kursejnë as kërcënimet e ngacmimet ndaj tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur sot në mëngjes, në rrugën “Ilir Konushevci” në Prishtinë, ku një 24-vjeçare e ka denoncuar në Polici ish të dashurin e saj.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se ajo ka deklaruar në Polici se personi me të cilin ka qenë në lidhje dashurie, A.S., nuk po e lë rehat që kur janë ndarë, duke i shkuar mbrapa me arsyetimin se dëshiron që të bisedojnë. Rasti i fundit, sipas deklaratë së viktimës ka ndodhur sot në orët e mëngjesit ku u përballë sërish me të.
I dyshuari i ka dalë në rrugë viktimës dhe i ka kërkuar që të ndalen dhe të bisedojnë, çka e shqetësoi vajzën shumë dhe e frikësuar e denoncoi në Polici.
Si rezultat i denoncimit, Policia ka arrestuar të dyshuarin, i cili është shoqëruar më pas në stacion policor.
Pas intervistimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij është nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh për veprën penale “Ngacmim”.