image Vajza e Hysni Gucatit: Brenda 15 ditësh pritet ankesa ndaj vendimit të Speciales

Drejtësi

Vajza e Hysni Gucatit: Brenda 15 ditësh pritet ankesa ndaj vendimit të Speciales

news image

Vajza e Hysni Gucatit, Ariana Gucati ka folur pas vendimit të Gjykatës Speciale, ndaj babait të saj i cili sot u dënua me katër vjet e gjysmë.

Ajo e ka quajtur vendimin të njëanshëm dhe paralajmëroi ankesë në shkallën e dytë.

“Ne kemi shpresuar që ky gjykim të jetë i drejtë, por që nga fillimi është ditur që janë marrë padrejtësisht dhe nuk është hera e parë që ndaj UÇK-së bëhen padrejtësi të tilla prandaj me këtë gjykim thjesht Gjykata Speciale ka treguar edhe njëherë qëllimet dhe vendimet e saj të njëanshme… Nuk kemi biseduar ende me avokatët. Sigurisht prindi ka biseduar. Ne presim që brenda 15 ditëve të ardhshme të bëhet ankesa dhe të merret vendimi tjetër”, tha Gucati, për KP.

Dhomat e Specializuara i shpallën fajtorë Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn për pengim të administrimit të drejtësisë, duke i dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim dhe me një gjobë prej 100 eurosh.

Në dënim do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Ata gjenden në paraburgim prej shtatorit të vitit 2020.

Gucati dhe Haradinaj u shpallën të pafajshëm për akuzën e hakmarrjes.

Drejtuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Gucati dhe Haradinaj u akuzuan nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje si dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Vendimi i fajësisë mund të apelohet nga palët brenda 30 ditësh te paneli i Gjykatës së Apelit në Hagë, që funksionon sipas ligjeve të Kosovës.

/GazetaSinjali/