Rreshtave të Ushtrisë së Kosovës u janë bashkuar sot edhe 337 ushtarë të rinj, të cilët kanë përfunduar me sukses trajnimin bazik në Qendrën e Stërvitjes Bazë në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes.
Ushtarët sot dhanë betimin në hapësirat e Kazermës “Adem Jashari” në Prishtinë, para komandantit të Forcës për Sigurinë e Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama. Ky i fundit u kërkoi atyre të jenë të disiplinuar dhe të shërbejnë me integritet.
337 persona kryen një tranzicion nga jeta e tyre civile në atë ushtarake, duke e dhënë betimin që do të shërbejnë për shtetin e Republikës së Kosovës dhe të gjithë qytetarëve pa dallim.
Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, u tha rekrutëve që duhet të ndjehen krenar pse zgjodhën të shërbejnë për vendin dhe qytetarët e Kosovës pa dallim.
“Ne jemi të përkushtuar për paqe, siguri, stabilitet e bashkëpunim me të gjithë. Sot FSK ka kapacitetet e specializuara që mund të ndihmojë paqen, sigurinë kudo në botë krah për krah ushtarëve të NATO-s. Prandaj, rekrutë të nderuar, kërkoj nga ju të jeni ushtarë të disiplinuar, të zellshëm dhe me integritet, t’i kryeni detyrat e juaja, respektoni dhe drejtimin e udhëheqësve tuaj, vetëm në këtë mënyrë ju do t’i bëni nderë Forcës së Sigurisë së Kosovës, do t’i bëni krenarë secilin qytetar të republikës së Kosovës. Të nderuar të pranishëm, sot Forca e sigurisë së Kosovës po e përmbyll një vit të suksesshëm sa i përket procesit të tranzicionit. Fokusi kryesor ka qenë kompletimi i bazës ligjore, doktrinarë dhe konoceptuale të forcës, ne po punojmë ngusht me partnerët tanë strategjik që Forca e Sigurisë së Kosovës të jetë moderne, e pajisur dhe trajnuar sipas standardeve të NATO-s”, tha Rama.
Ai tha se FSK është Forcë kredibile multi-etnike, e trajnuar dhe e pajisur me standardet e NATO-s.
Gjeneral Rama shtoi se Forca është transparente dhe e gatshme të koordinohet me gjithë partnerët vendor e ndërkombëtar.
Ndërsa, zëvendësministri i Mbrojtjes, Burim Ramadani tha se qëllimi i Forcës është të kontribuojë për paqe dhe siguri.
“Të nderuar rekrutë të FSK-së, ju po bëheni pjesë e Forcës sonë në një etapë të rëndësishme për të ardhmen tonë të përbashkët, në kohën kur tranzicioni ushtarak i FSK-së është në rrugë të mbarë, kur Ministria e Mbrojtjes po konsolidohet dhe FSK po rritet e po forcohet”, tha ai.
Ai tha se interes nacional e kanë konsolidimin e plotë të shtetit të Kosovës, dhe rruga përpara është thellimi i partneritet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe anëtarësimi në NATO.
Ceremonia e betimit në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë u përcjell nga afër edhe prej familjarëve të qindra rekrutëve që iu bashkuan sot Forcës./Gazeta Sinjali/