Përveç bombardimit të një teatri, që përdorej për strehimin e civilëve, nga Mariupoli raportohet se ka ndodhur edhe një sulm tjetër ndaj civilëve.
Në një incident të ndarë, forcat e armatosura ukrainase, thanë se një konvoj me civilë që po tentonin të evakuoheshin nga qyteti i rrethuar, u sulmua me raketa nga forcat ruse.
Ushtria ukrainase tha përmes Facebook-ut se civilët ishin duke u larguar për në qytetin Zaporizhja, që gjendet mbi 200 kilometra larg Mariupolit.
Ushtria tha se sipas raportimeve të para ka viktima në mesin e civilëve, por nuk dha më shumë detaje, raporton REL.
Ndërkaq, Qeveria lokale në Zaporizhja tha se të paktën pesë persona janë plagosur, përfshirë edhe një fëmijë që është në gjendje të rëndë shëndetësore.