image Urdhëresa e Hajdarit ua mohon qytetarëve të drejtën për anulimin e pushimeve të parapaguara

Financa

Urdhëresa e Hajdarit ua mohon qytetarëve të drejtën për anulimin e pushimeve të parapaguara

news image

Ish-ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari, më 18 maj lëshoi urdhëresë përmes të cilës urdhëroi agjencitë turistike që përmes kuponëve (vouchers), ose dokumenteve të barasvlershme, t’u mundësojnë klientëve të tyre shtyrjen deri më 31 dhjetor 2021 të shërbimeve turistike të parapaguara ose të rezervuara të cilët nuk kanë mundur të udhëtojnë për shkak të pandemisë COVID-19.

Po ashtu, Hajdari urdhëroi agjencitë turistike që t’u mundësojnë klientëve zëvendësimin e paketave me paketa të cilësisë së njëjtë ose më të lartë konsumatorëve të cilëve u janë anuluar paketet turistike për shkak të pandemisë dhe nëse paketet zëvendësohen me paketa të cilësisë më të ulët, konsumatorëve t’ua kthejnë dallimin në çmim.

Nga kjo ministri për Gazetën Sinjali kanë thënë se urdhëresa në fjalë është rrjedhojë e kërkesës së operatorëve ekonomikë, të cilët u kanë bërë thirrje klientëve të mos anulojnë shërbimet, por t’i shtyjnë datat e pushimeve.

Anipse, ministria në fjalë thotë se urdhëresa e lëshuar më 18 maj mbron turizmin dhe konsumatorin, në fakt kjo urdhëresë ua mohon klientëve të drejtën e anulimit të rezervimit të pushimeve dhe rimburësimin e mjeteve të tyre të parapagimit.

“Urdhëresa do të sigurojë që turistët të mos anulojnë paketat, por t’i shfrytëzojnë ato në një datë tjetër. Konsumatorët do të kenë të drejtën e mjeteve të tyre dhe në zbatimin e kësaj urdhërese nuk parashihet ndonjë pengesë”, thuhet në përgjigjet e MEPTINIS-it për Gazetën Sinjali.

Por, nga kjo ministri thonë se nëse konsumatorët nuk mund t’i realizojnë të drejtat e tyre, ata mund të ankohen në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit, që funksionon në kuadër të MEPTINIS-it, ose mund të shfrytëzojnë edhe mundësitë juridike gjyqësore në gjykatat themelore kompetente të Republikës së Kosovës.

Gazeta Sinjali ka dërguar pyetje në adresë të disa agjencive turistike për të kuptuar nëse urdhëresa është lëshuar në koordinim me to dhe nga agjencia turistike ”Max Travel” kanë thënë se kjo urdhëresë është rezultat i bashkëpunimit të MEPTINIS dhe Tour Operatorëve të Kosovës.

“Të gjithë një zëri jemi dakorduar për një kërkesë të tillë, për shkak të gjendjes së krijuar”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Sipas agjencisë “Max Travel”, urdhëresa në fjalë nuk ka ndikim vetëm në stabilitet financiar dhe nuk është që i ruan vetëm agjencitë, por edhe klientët, ndonëse kjo kompani nuk do t’u mundësojë klientëve të saj anulimin e rezervimeve dhe rimburësimin e mjeteve, pasi thonë se kanë nevojë për mbështetje, pas dëmeve që kanë pësuar nga pandemia.

 “…Të gjitha aviokompanitë dhe hotelet për momentin kanë ekzekutuar këtë nen dhe pagesat/parapagimet që ne i kemi realizuar ndaj tyre janë të ngrira. Aviokompanitë janë deklaruar që shumat e deponuara mund t’i shfrytëzojmë edhe në të ardhmen, por nuk kanë mundësi të kthimit. Ne do të merremi me të gjithë klientët në bazë individuale dhe besoj që kemi produkte të mjaftueshme për t’i ofruar atyre në mënyrë që ata por edhe në të mos dëmtohemi në kemi nevojë për rimëkëmbje të shpejtë, por që nuk do të jetë e lehtë dhe për këtë ne kemi nevojë për mbështetjen e klientëve, me vite kemi ofruar dhe tash besoj është koha të gjejmë mirëkuptimin te klientët tanë në mënyrë që ne të vazhdojmë edhe më tej së bashku”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Lidhur me këtë urdhëresë, kryetari i Organizatës Joqeveritare “Konsumatori” Selatin Kaçaniku, ka thënë për Gazetën Sinjali se kanë pranuar disa ankesa, por ai propozon të gjendet një mes, pasi që thotë se nëse të gjithë konsumatorët kërkojnë atë që u takon do të mbeteshin pa kompanitë turistike.  

“Mendoj që kjo urdhëresë është lëshuar me vonesë. Ka qenë dashur që kjo urdhëresë të lëshohet qysh në fillim, në hyrjen në temë të ditës së koronavirusit, në mënyrë që mos të ekzagjerohet, të mos bëhet problem i madh. Natyrisht se konsumatori i ka të drejtat e veta dhe natyrisht që këto bileta duhet të riprogramohen, besa edhe të rimburësohen. Por, natyrisht që pandemia e ka goditur gjithë botën, na ka gjetur të gjithëve papërgatitur dhe natyrisht se nëse ne të gjithë do të kërkonim nga kompanitë ato që na takojnë, do të mbeteshim pa to. Kështu, do ta shkaktonim një problem global dhe do të mbeteshim pa kompanitë, por duhet ta gjejmë një model të bashkëpunimit, pasi në këtë gjendje askush nuk mund të përitojë atë që i takon”, tha ai./Gazeta Sinjali/