image Ura e Gurit përdoret për instalacione, reagon shoqëria civile

Ura e Gurit përdoret për instalacione, reagon shoqëria civile

news image

Ura e vjetër e Gurit në Prizren, e cila i përket periudhës së mesjetës, është në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme, shkruan Sinjali.com.

Por, kjo nuk e ka penguar bankën “ProCredit” që ta vendosë një instalacion që po konsiderohet se e dëmton këtë urë.

Që nga dita e djeshme, Sinjali ka provuar të kontaktojë Drejtorinë e Shërbimeve Publike në Prizren për të konfirmuar nëse ky instalacion është vendosur me lejen e komunës. Mirëpo, deri tash, zyrtarët e kësaj drejtorie nuk janë përgjigjur në telefon e as nuk kanë kthyer përgjigje në e-mail.

Po ashtu, edhe kontakti me “ProCredit Bank” ka qenë i pamundur edhe pse Sinjali ka tentuar të kontaktojë me përfaqësuesit e kësa banke që nga dita e djeshme.

Lidhur me këtë rast ka reaguar organizata “EC Ma Ndryshe” në Prizren, sipas së cilës, institucionet duhet ta shqyrtojnë shqetësimin për dëmtimin e një pjese të Urës së Gurit.

“Anëtarja e Këshillit të Trashëgimisë Kulturore të Prizrenit (Artnet Haskuka) në rrjetet sociale publikisht ka ngritur shqetësimin për dëmtimin e një pjesë të Urës së Gurit, si pasojë e vendosjes së një instalacioni mbi këtë monument të trashëgimisë kulturore. EC Ma Ndryshe konsideron se institucionet kompetente të trashëgimisë kulturore duhet ta shqyrtojnë me seriozitet këtë rast dhe të gjitha gjetjet t’i adresojnë në mënyrë ligjore sipas kompetencave të tyre, në mënyrë që të ruhet dhe mbrohet monumenti i Urës së Gurit”, thuhet në reagimin e kësaj organizate.

Kurse, Haskuka ka thënë se dëmi që i është shkaktuar urës duke vendosur bulona, është i madh.

Organizata ka rikujtuar se Ura e Gurit në Prizren është monument i mbrojtur me ligj, që prej vitit 1948, për shkak të vlerave të mirëfillta të trashëgimisë.

Sinjali do të iu informojë në vazhdim, në rast se institucionet përgjegjëse do të japin sqarim lidhur me këtë çështje./Sinjali/