Gazeta Sinjali pak më parë raportoi ekskluzivisht për një rrahje që ka ndodhur sot në Fakultetin e Mjekësisë, ku prindi i një studenti dyshohet se ka sulmuar fizikisht profesoreshën e këtij Fakulteti, Hatixhe Latifi Pupovci, e cila po ashtu është bashkëshortja e zëvendësministrit të Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci.
Lidhur me rastin kanë reaguar nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, ku përmes një reagimi kanë bërë të ditur se me shqetësim kanë pranuar lajmin për sulmin fizik ndaj profesoreshës së Fakultetit të Mjekësisë.
“Aktet e tilla janë sjellje të papranueshme dhe të dënueshme, e të njëjtat cenojnë rëndë misionin e UP-së të lidhur me krijimin dhe zhvillimin e shoqërisë tolerante dhe dhënien e ndihmesës në procesin e promovimit të demokracisë qytetare“, thuhet në reagimin e tyre.
Mes tjerash UP u bënë thirrje organeve kompetente që aktin në fjalë ta trajtojnë me urgjencë dhe ndaj sulmuesit të shqiptojnë masën adekuate ligjore.
“UP-ja thekson gatishmërinë që të bashkëpunojë ngushtë më organet përkatëse, për të mundësuar zbardhjen e rrethanave dhe trajtimin e rastit në tërësi”.
Sulmin e ka konfirmuar edhe vetë profesoresha në fjalë, e cila përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se ngjarja ka ndodhur si pasojë e pakënaqësisë së studentit me notën e provimit.
Ndryshe, Sinjali raportoi fillimisht se ngjarja e pazakontë në Fakultetin e Mjekësisë, për motiv kishte mosmarrëveshjen profesor – student, me ç’rast babai i Donatit, Arsim Gashi, në shenjë pakënaqësie lidhur me ankesat e djalit të tij, dyshohet se ka grushtuar profesoreshën Pupovci dhe e ka sulmuar me mjet të fortë (gotë qelqi).