image UP-ja lanson faqen psikoedukuese për shëndetin mendor gjatë koronavirusit

Kosovë

Sociale/ UP-ja lanson faqen psikoedukuese për shëndetin mendor gjatë koronavirusit

news image

Departamenti i Psikologjisë i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, së bashku me studentët e programit master “Psikologji Shkollore dhe Këshillim”, sot, në kuadër të ueb faqes së UP-së kanë lansuar faqen shendetimendor.uni-pr.edu. Faqja synon të ofrojë video psikoedukuese për shëndetin mendor dhe ruajtjen e tij gjatë pandemisë COVID-19.

Situata e fundit e krijuar me pandeminë COVID-19 dhe masat e marra si kufizimi i lëvizjes, mungesa e kontakteve sociale, ndryshimi i rutinës ditore dhe frika nga e panjohura, mund të shkaktojnë potencialisht parehati të përgjithshme, që mund të manifestohet me stres dhe ankth me intensitet të ndryshëm tek qytetarët. Departamenti i Psikologjisë në bashkëpunim me studentët ideuan dhe realizuan një faqe praktike dhe të thjeshtë, ku qytetarët mund të marrin informata praktike përmes videove psikoedukuese për gjendjet e caktuara të shëndetit mendor si stresi apo ankthi dhe në të njëjtën kohë të informohen se si mund të ballafaqohen me ato në kushte shtëpie. Intervenimet e rekomanduara janë të bazuara në evidencë shkencore se kanë ndikim pozitiv në uljen e intensitetit të ankthit, stresit dhe gjendjeve të tjera të shëndetit mendor, që mund të vështirësojnë funksionimin e përditshëm të qytetarëve.

Faqja është e konceptuar me seanca. Në seancën e parë trajtohet stresi, në të dytën ankthi dhe në të tretën mendimet brengosëse. Për momentin, aktive është vetëm seanca e pare, ndërsa seanca e dytë dhe e tretë do të aktivizohen brenda javës së ardhshme. Secila seancë ka informata për gjendjet e caktuara dhe rekomandimet për ushtrime, se si mund të zbutet intensiteti i këtyre gjendjeve të shëndetit mendor. Gjatë javëve në vijim planifikohen që të shtohet edhe një seancë specifike për familje dhe fëmijë.

Projekti i realizuar i përgjigjet nevojave të shëndetit mendor publik. Adresimi i nevojave të shëndetit mendor në këtë periudhë, ku secili qytetar ndihet jashtë zonës së komfortit është shumë e rëndësishme. Po ashtu, projekti i realizuar teston ofrimin e shërbimeve online. Situata e krijuar ka sfiduar profesionet e shëndetit mendor, pasi ato janë kryesisht të varura nga ofrimi të shërbimeve ndaj personit.

Universiteti i Prishtinës, së bashku me stafin dhe studentët, mbetet i përkushtuar të ndihmojë qytetarët në ruajtjen e shëndetit të vet, familjes dhe me këtë të kontribuojë në shëndetin e komunitetit në përgjithësi.

Kostot përcjellëse të realizimit të projektit janë mundësuar nga Universiteti i Prishtinës dhe Kuvendi Komunal i Prizrenit./GazetaSinjali/