image Universiteti i Prishtinës kushtëzon studentët, ia çon "tallin" privatit

Kosovë

Padrejtësi/ Universiteti i Prishtinës kushtëzon studentët, ia çon “tallin” privatit

news image

Universiteti i Prishtinës ”Hasan Prishtina” është duke aplikuar një lloj kushtëzimi monopolizues në arsimin e lartë me qëllim të krijimit të përfitimeve materiale për kompani të caktuara private.

Drejtuesit e këtij institucioni publik kanë lidhur marrëveshje me vetëm dy institucione private, Kolegjin AAB dhe Anglia Examination për të lëshuar certifikata të njohjes së gjuhës së huaj, për studentët që dëshirojnë t`i ndjekin studimet master dhe doktoratë. Ndërsa nuk i njohin certifikatat e lëshuara nga institucionet tjera dhe shkollave të gjuhëve të huaja që veprojnë legalisht në Kosovë.

Kjo formë e kushtëzoimit të UP-së duke ua dërguar “tallin” vetëm dy kompanive private për të lëshuar certifikata gjuhe, po kundërshtohet ashpër nga studentët.   

Urall Boshnjaku, i diplomuar në studimet bachelor në Fakultetin Filologjik në UP, ka treguar për Gazetën Sinjali se Universiteti i Prishtinës ia ka refuzuar atij  certifikatën e lëshuar nga shkolla e gjuhëve të huaja, Oxford.

“Unë kam aplikuar me certifikatën e gjuhë angleze (A2) të lëshuar nga shkolla e gjuhëve të huaja Oxford, por nuk më është pranuar. Më kanë refuzuar certifikatën me arsyetimin se kjo certifikatë pranohet vetëm nëse jepet nga dy institucione: Anglia examination dhe Kolegji AAB”, ka rrëfyer Boshnjaku për Gazetën Sinjali.

Tutje Boshnjaku ka thënë se nëse ky kriter nuk largohet, atij dhe shumë studentëve të tjerë do iu pamundësohet vazhdimi i studimeve master.

“Kjo haptazi është veçse krijim i një sistemi të monopolit biznesor me të cilën dëmtohen të gjithë studentët e mirë, e cila më pas krijon mundësi për fëmijët e pasanikëve dhe oligarkëve shtetërorë.

Nëse kriteri me të cilin po kushtëzohemi nuk largohet, një pjesë e madhe e studentëve të shkëlqyer do privohen nga mundësia e vijimit të studimeve në nivelin Master.”, ka thënë ai.

Nga ky vit, dorëzimi i një certifikate për njohjen e gjuhës së huaj, është bërë kriter i ri për të gjithë studentët që aplikojnë për studime master dhe doktoratë. Në mesin e dokumenteve për aplikim, po kërkohet edhe një certifikatë për njohje të gjuhëve të huaja, niveli A2 për master, ndërsa niveli B1 për doktoratë.

Ky kriter është vendosur bazuar në një Udhëzim Administrativ të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, thuhet se çdo student që aplikon për studime master dhe doktoratë duhet të ketë certifikatë për njohjen e gjuhëve të huaja.

“Qëllimi i këtij Udhëzimi administrativ është përcaktimi i kritereve për pranimin e kandidatëve në programin e studimit të ciklit të dytë apo të tretë, të cilët duhet të kryejnë testet dhe të kenë nivel të njohjes së ndonjërës nga gjuhët e huaja si anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht dhe spanjisht”, thuhet në udhëzim.

Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci e cila ka qenë anëtare e Komisionit për Arsim në legjislaturën e fundit, e ka vlerësuar si të padrejtë përcaktimin e kompanive prej nga studentët duhet të marrin certifikatat për të plotësuar këtë kriter.

“Konsideroj që është shumë gabim që në këtë kohë kaq të shkurtër, është vendos kjo kërkesë e cila faktikisht dhe e pamundëson përgatitjen e studentëve, dhe mundësinë që ata brenda afatit të caktuar të konkursit të arrijnë t’a plotësojnë këtë kriter, shto këtu faktin që janë përcaktuar edhe kompanitë që mund të japin certifikatën”, ka thënë Nagavci per Gazetën Sinjali.

Në anën tjetër Ministria e Arsimit ka heshtur lidhur me këtë çështje. Të kontaktuar nga Gazeta, MASHT-i nuk ka dhënë asnjë përgjigje, ndërkohë që kanë mbetur vetëm edhe disa orë deri në mbylljen e afatit për aplikim në Universitetin e Prishtinës./Gazeta Sinjali/