Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka zgjedhur sot dekanët e ri, anipse procesi u përcoll me zhurmë e mospajtime.
Në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit për dekan u propozuan tre emra: Musa Selimi, Ajvaz Berisha dhe Hazir Salihu. Por, ky i fundit u tërhoq nga kandidatura, siç tha ai për arsye personale.
E kandidatura e Ajvaz Berishës u përcoll me shumë paqartësi dhe me shumë zhurmë. Ishte pikërisht Berisha që nuk lejoi që zgjedhjet të mbahen pa kandidaturën e tij, ndonëse kishte të drejtë të kandidonte.
“Ju po tentoni ta eliminoni dikë nga kandidatura por nuk do të ndodh. Ose shtyjeni zgjedhjet deri nesër edhe i shohim te gjitha procedurat”, tha Berisha.E zgjedhjet i fitoi Musa Selimi.Zgjedhjet për dekan u mbajtën edhe në Fakultetin Ekonomik dhe atë Juridik.
Për këtë të fundit kandidoi vetëm Avni Puka i cili u zgjodh me 30 vota për, katër kundër dhe dy abstenime. Dekani i ri premtoi më shumë përgjegjësi.
“Ndihem i nderuar dhe i privilegjuar që më keni zgjedhur, por në të njëjtën kohë ndihem me më shumë përgjegjësi por së bashku me juve do t’ia dalim”, tha Puka.
Ndërsa ish-dekani Haxhi Gashi tha se ka qenë privilegj që për dy mandate të jetë në krye të Fakultetit Juridik. Në Fakultetin Filologjik u zgjodh për herë të dytë dekane Lindita Rugova, përderisa Blerim Saqipi u zgjodh në Fakultetin e Edukimit. Në atë Filozofik u zgjodh Dashamir Burxulli, raporton EO.
Vend për dekan pati edhe për një ish-ministër. Idriz Vehapi u zgjodh dekan në Fakultetin e Shkencave Matematikore-Natyrore. E në Fakultetin e Arteve u zgjodh, Hazir Haziri.
Zgjedhje për dekan pati edhe në Fakultetin Ekonomik. Aty vota më shumë mori Fatos Ukaj. Ai u shpreh se si dekan i këtij fakulteti do të mundohet që projektet e mbetura t’i shtyjë përpara./Gazeta Sinjali/