Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” nga sot do ketë pullën postare me logon e 50 vjetorit të themelimit të universitetit, shkruan Gazeta Sinjali.
Pulla postare është promovuar sot nga Posta e Kosovës për nder të 50 vjetorit të themelimit të institucionit më të rëndësishëm të arsimit në vend.
Rektori i UP-së, Marian Dema është shprehur i kënaqur me poromovimin e kësaj pulle, duke vlerësuar se ky aktivitet ka ardhur si shpërblim i punës së madhe të këtij universiteti.
“Kjo pullë besoj se është edhe një vlerë e veçantë për Postën e Kosovës sepse e nderon një tempull i cili për 50 vite ka dhënë dritë, ka dhënë profesionistë, ka dhënë kontribute në të gjitha fushat”, deklaroi Dema, duke e lidhur fatin e Universitetit të Prishtinës me fatin e popullit të Kosovës.
Kujtojmë se Universiteti i Prishtinës u themelua me Ligjin mbi themelimin e Universitetit, të cilin e miratoi Kuvendi i ish-Krahinës Socialiste të Kosovës më 18 nëntor 1969, ndërsa kuvendi themelues i Universitetit “Hasan Prishtina” u mbajt më 13 shkurt 1970./Gazeta Sinjali/