image “Unë jam i vetmi që jetova, ata të gjithë vdiqën”, tregimi i njërit nga heronjtë e 11 Shtatorit

Botë

“Unë jam i vetmi që jetova, ata të gjithë vdiqën”, tregimi i njërit nga heronjtë e 11 Shtatorit

news image

Heroizmi mund të shihej kudo në New-York më 11 shtator, por pak dolën gjallë nga kullat për të treguar historitë e tyre të vetëmohimit dhe mbijetesës.

Kapiteni i divizionit 6 të zjarrfikësve të New-York-ut, Jay Jonas ishte në mesin e atyre pak njerëzve që ndodhej në krye të detyrës mëngjesin e asaj të marte dhe sot jeton për të treguar historinë e tij.

Tani 63 vjeç, Jonas është ende në detyrë dhe shërben si zëvendësshef në shërbimin e zjarrfikësve në New-York.

Më 11 shtator të vitit 2001, Jonas ishte duke ngrënë mëngjes në stacionin e tij në pjesën e Chinatown të Manhattanit të poshtëm, kur një zhurmë e fuqishme i tronditi të gjithë. Askush nuk e dinte se çfarë po ndodhte.

“Unë isha duke ngrënë mëngjes në kuzhinë, kur papritmas pashë një hije të madhe të zezë në tokë. Pastaj dëgjuam një shpërthim të fortë. Nuk e dija se çfarë po ndodhte. Por, thashë, në rregull, dy divizionet të dalin në terren”, tha ai.

Pas shumë peripecive, Jonas u ngjit në katin e 26-të të Kullës së Veriut, ku ai dhe kolegët e tij shpëtuan me sukses shumë civilë. Por, gjatë rrugës, Kullat Veriore dhe Jugore u shembën. Ishte një dritë nëpër rrënoja, ajo që iu mundësoi të arratiseshin nga aty, edhe pse shumë të tjerë përreth vdiqën.

“Disa ditë më duket sikur të kishte ndodhur dje. Disa ditë më duket sikur ishte 20 vjet më parë. Pra, varet nga dita”, shprehet Jonas.

Ndërsa ai dhe kolegët e tij hynë në Kullën e Veriut, u dëgjua një shpërthim tjetër.

“Një burrë erdhi duke vrapuar nga jashtë, dhe tha: një avion i dytë sapo ka goditur Kullën e Jugut.”

Ai kujton se në ato momente ishte i sigurt se nuk do të mund të dilnin gjallë prej aty. Dhe me të vërtetë, nga të gjithë djemtë me të cilët ishte i rrethuar, Jonas është i vetmi që mbijetoi.

“Ne morëm kohë për të shtrënguar duart dhe për t’i uruar fat njëri-tjetrit. Nga të gjithë ata djem me të cilët u rrethova kur avioni i dytë goditi Kullën e Jugut, unë jam i vetmi që jetova. Ata të gjithë vdiqën”, kujtoi ai.

Duke rrëfyer historinë, ai nxiton të lavdërojë zjarrfikësit që punuan atë ditë për të.

“Gjëja e fundit që iu thashë ishte, “ata po përpiqen të na vrasin, djema, le të shkojmë. Dhe të gjithë më thanë: Shef, ne jemi me ty.”

Jonas kujton gjithashtu reagimin e njerëzve kur i shihnin nëpër shkallë.

“Ata ishin shumë të lumtur që na panë. Po na thoshin fjalë inkurajuese si: Zoti ju bekoftë. Ju meritoni një rritje page.”

Por, gjithçka u errësua shpejt, me rënien e Kullës së Jugut.

“Nuk duhej shumë mend për të kuptuar se ne ishim burra të vdekur që ecnin.”

Ndërsa po lëviznin, zjarrfikësit hasën një grua, të quajtur Josephine Harris, e cila po i shikonte duke qarë. Për Jonas, nuk kishte dyshim se ai dhe ekipi i tij do ta merrnin me vete, pavarësisht se kjo do të vështirësonte operacionin.

“Në katin e 20-të takuam një grua që po qante. Emri i saj ishte Josephine Harris. Ajo ishte një punonjëse që kishte zbritur nga kati i 73 -të, me ndihmën e një kolegu. Por, tani ishte duke qëndruar në derë dhe po qante. Djemtë e mi kthehen dhe më shikojnë, njëri prej tyre, Tommy Falco, thotë, “Hej shef, çfarë do bëjmë me të?” Po mendoja me vete, se çdo sekondë që humbnim na mbante larg daljes. Por pastaj e pashë dhe ajo ishte e pafuqishme. I thashë: “Në rregull, merreni. Dhe njerëzit më kanë pyetur si e mora këtë vendim duke marrë parasysh rrezikun në të cilin ndodheshim. Unë iu kam thënë se: “Kjo është ajo që bëjnë zjarrfikësit”, kujtonte Jonas.

Me Harrisin me ta, situata në Kullën e Veriut po bëhej gjithnjë e më e pasigurt, ndërsa kolapsi ishte ende duke u zhvilluar.

“Zhurma u bë më e fortë dhe shembja po shtypte të gjithë ajrin që ishte në ndërtesë, duke krijuar erëra të ngjashme me tornadon në shkallët. “Ne po goditeshim nga të gjitha anët me mbeturina. Ishim vetëm duke pritur që ndonjë copë e madhe betoni të vijë dhe të na marrë para. Por për ne nuk erdhi”.

Ndërsa zjarrfikësit vazhduan poshtë shkallëve, Jonas vuri re se “mund të shihte një copëz të vogël të qiellit blu” nëpër rrënoja.

Kur tymi dhe pluhuri u pastruan, ai angazhoi zjarrfikësit për të dalë prej aty.

Jonas nxiton të thotë se nuk ishte heroi i vetëm atë ditë.

“Unë ngrita kokën, pashë një copë të vogël të qiellit blu dhe thashë: djema, dikur kishte 106 kate mbi kokat tona. Tani unë shoh një copë qielli blu. Mendoj se jemi në krye të Qendrës Botërore të tregtisë.

Heroizmi ishte shfaqur për të gjithë atë ditë. Dhe ishte i vërtetë”, tha ai.

/GazetaSinjali/