Artistët në të gjithë botën po japin kontributin e tyre në luftën kundër pandëmisë.
Së fundi, diva e muzikës, Beyonce ka nisur një fushatë për testimin e komunitetit me ngjyrë në SHBA. Nismës pritet t’i bashkohen edhe personazhe të tjerë të famshëm, për të ndihmuar në luftën kundër Covid 19.
Diva e muzikës Beyoncé së bashku më nënën e saj, Tina Knowles Lawson, po udhëheq fushatën e testimit për covid 19, në qytetin e saj të lindjes në Houston, Texas.
Organizata BeyGOOD e yllit të muzikës do të nisë fushatën #IDidMyPart, “Unë e bëra pjesën time” e cila inkurajon komunitetin me ngjyrë të kujdesen për shëndetin në këtë përballje me pandeminë e koronavirusit.
Sipas të dhënave, virusi i ri është përhapur në mënyrë disproporcionale tek komuniteti me ngjyrë në Shtetet e Bashkuara. Një raport i Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, në mes të muajit prill, tha 33.7 përqind e pacientëve me COVID-19 ishin me ngjyrë. Për më tepër, 33 përqind e të gjitha vdekjeve nga koronavirusi ishin amerikanë me ngjyrë.
“Ne jemi të gjithë së bashku. Por duhet të shohim se çfarë po ndodh në komunitetet tona”, tha Knowles Lawson në një deklaratë. Është thelbësore të jesh vigjilent ndaj distancës sociale, të mbash maskë dhe mbi të gjitha t’i nënshtrohesh testit. Nëse nuk i nënshtrohesh testit, nuk e di nëse je bartësi i virusit. Të jesh asimptomatik përbën një rrezik për familjen dhe njerëzit përreth”.
Këtë fundjavë për Ditën e Nënës, Beyoncé dhe nëna e saj do të ofrojnë testime falas në Houston dhe do të shpërndajnë për të pranishmit pajisje mbrojtëse si maska dhe doreza.
Qëllimi i fushatës është që personazhe të tjerë të famshëm të profilit të lartë të emërojnë njëri-tjetrin për të ndihmuar në përpjekjet për të nxitur testimin në vendlindjet e tyre. Sipas njoftimit, Tyler Perry tashmë ka pranuar sfidën #IDidMyPart dhe do të ndihmojë në lehtësimin e përpjekjeve të testimit në Atlanta, Xhorxhia.
Para shpalljes së iniciativës së re të testimit, Beyonce dhuroi 6 milion dollarë për të ndihmuar organizatat që mbështesin institucionet shëndetësore në New York, New Orleans, Detroit dhe Houston.