image UNDP: Rritet kënaqshmëria me punën e kryeministrit e presidentes, pakënaqësi me drejtimin ekonomik e politik

Politikë

UNDP: Rritet kënaqshmëria me punën e kryeministrit e presidentes, pakënaqësi me drejtimin ekonomik e politik

news image

“Pulsi Publik” i Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) ka publikuar raportin e anketës së opinionit në prill të vitit 2023. Sipas kësaj, ka një rritje pozitive të kënaqëshmërisë me punën e institucioneve të vendit megjithëse nuk ka rritje të kënaqshmërisë për drejtimin politik të vendit.

Duke e krahasuar me të dhënat që dolën nga anketa e UNDP në nëntor të vitit 2022 kur kënaqshmëria me punën e kryeministrit ishte 44.95 për qind, në prill të 2023, del se ka pasur një rritje prej 6.6 për qind.

Kështu, kënaqshmëria me punën e kryeministrit në prill, arriti vlerën prej 51.5 për qind.

Megjithatë, kënaqshmëria me drejtimin politik nuk ka shënuar rritje. 23.2% e qytetarëve të pyetur janë përgjigjur se janë shumë të kënaqur me drejtimin politik. Në anketën e mëparshme ishin 23.6 për qind.

Rritje pozitive edhe për institucionet tjera

Sipas raportit të “Pulsit Publik”, të dhënat e anketës tregojnë rritje të kënaqëshmërisë të të anketuarve me punën e të gjitha institucioneve qendrore të Kosovës.

“Mesatarisht 45.8% e të anketuarve ishin të kënaqur me punën e institucioneve qendrore të Kosovës krahasuar me 39.9% në nëntor 2022, 48.4% në prill 2022, 47% në nëntor 2021, 51.4% në prill 2021. Të dhënat nga anketa e opinionit e prillit 2023 tregojnë se mesatarisht, kënaqshmëria e qytetarëve me institucionet qendrore të Kosovës është rritur për 5.9 pikë përqindje.” – thuhet në raport.

Kënaqshmëria me punën e kabinetit ekzekutiv arriti vlerën 45.8 për qind, në krahasim me nëntor të vitit 2022, kur ishte 41 për qind. Megjithatë, kjo statistikë kishte qenë dukshëm më e lartë në majin e vitit 2021 kur ishte 59.1 për qind.

Po ashtu, është rritur kënaqëshmëria edhe me punën e Kuvendit të Kosovës.

“Kënaqshmëria me punën e Kuvendit kapi vlerën prej 46.5%, krahasuar me 39.1% në nëntor 2022, ndërsa kënaqshmëria me kryetarin e Kuvendit të Kosovës ishte 58.3%, krahasuar me 50.8% në nëntor 2022.” – thuhet në raport.

Veç kësaj, të anketuarit duket se janë më të kënaqur me punën e presidentes Osmani, se sa me atë të kryeministrit Kurti. Kënaqshmëria te puna e kryetares së shtetit, është rreth 60.3 për qind.

“Niveli i kënaqshmërisë me Presidenten kapi vlerën 60.3%, krahasuar me 56.8% në nëntor 2022. Ka pasur rritje në shkallën e kënaqshmërisë me Gjykatat dhe Zyrën e Kryeprokurorit, duke kapur vlerën prej 29% për të dyja institucionet, krahasuar me 24.4% dhe 22% përkatësisht, në nëntor 2022.” – shkruan mes tjerash në raport.

/GazetaSinjali/