Ukraina pretendon se ka vrarë shumë rusë me dy sulme në rajonin e pushtuar lindor, kur Kievi po i shton sulmet me dronë me rreze të mesme veprimi, duke e vënë në shënjestër infrastrukturën ushtarake të Rusisë.
Një valë sulmesh goditi një kamp rus trajnimi për dronë në qytezën e pushtuar, Snizhne, duke lënë të vrarë të paktën 65 kadetë dhe një instruktor mbrëmjen e së mërkurës, sipas komandantit ukrainas të Forcave të Sistemeve pa Pilot, raporton televizioni CNN.
Robert Brovdi pretendoi se sulmi ndaj akademisë për përdorimin e dronëve vuri në shënjestër një kompleks me sipërfaqe prej gati 2.5000 metrash katrorë, ku kishte dronë, mjete shpërthyese dhe një pikë komande.
Një valë tjetër sulmesh goditën një seli të shërbimit rus të sigurisë dhe një sistem të mbrojtjes ajrore në rajonin e Khersonit, në Ukrainën e pushtuar, duke lënë të vrarë ose të plagosur gati 100 rusë, pretendoi të enjten presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky. Ai nuk e përmendi kohën kur janë kryer këto sulme.
Pretendimet e Ukrainës për numra të tillë të mëdhenj të të vrarëve janë të pazakonshme dhe televizioni CNN nuk mund t’i vërtetojë ato në mënyrë të pavarur. Televizioni ka kërkuar koment nga autoritetet ruse.
Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë të entejn pretendoi se forcat e saj kishin shënuar fitore territoriale në vijën e frontit. Kjo ministri tha gjithashtu se kishte dërguar disa municione bërthamore në zonat e ruajtjes në Bjellorusi si pjesë e një ushtrimi të forcave bërthamore.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!