image UEFA ndëshkon Anglinë të luajë pa tifozë, por jo ndeshjen me Shqipërinë

Futboll

UEFA ndëshkon Anglinë të luajë pa tifozë, por jo ndeshjen me Shqipërinë

news image

UEFA më në fund merr vendimin për skandalin e finales së Kampionatit Evropian në Londër, ku tifozët vendas dhuruan një shfaqje të turpshme.

Kaosi gjatë ndeshjes me tifozë të shumtë që hynë në stadium pa bileta, apo edhe ngjarjet e dhunës në tribuna e jashtë “Uemblit”, kanë sjellë ndëshkimin e përfaqësueses së “tre luanëve” që të zhvillojë një ndeshje pa praninë e tifozëve.

Hetimi nisi menjëherë pas asaj finaleje dhe sot UEFA dha vendimin që Anglia të ndëshkohej me dy ndeshjet e radhës si pritëse pa tifozë, një prej të cilave si dënim të pezulluar, si dhe një gjobë prej 100 mijë eurosh.

Federata Angleze i etiketoi sot si huliganë ata që prishën finalen ndaj Italisë, duke hyrë me forcë në stadium, për më tepër në zonën e familjarëve të futbollistëve të Anglisë të cilët në një moment u detyruan të dilnin nga tribuna.

Por, kjo ndeshje pa tifozë nuk do të jetë ajo mes Anglisë dhe Shqipërisë që luhet në muajin nëntor për kualifikueset e Botërorit. Vendimet e UEFA-s për çështje të tilla nuk kanë efekt mbi kompeticionet e FIFA-s.

Kështu, Anglia do të shlyejë dënimin e saj me shumë mundësi në ndeshjen e parë si pritëse në fazën në grupe në Ligën e Kombeve, që do të luhet në qershor 2022./Gazeta Sinjali Sporti/