Ditë më parë ka hyrë në fuqi udhëzimi administrativ për regjistrimin e obligueshëm të kafshëve shoqëruese (mace, qen) të nënshkruara nga Ministri në detyrë i Bujqësisë, Besian Mustafa.
Ky udhëzim administrativ do të parandalojë braktisjen e qenve dhe maceve nga pronarët, që sipas AUV dhe “Fondacionit të të drejtave të Kafshëve”, është shkaku kryesor për rritjen e numrit të tyre në vende publike.
Kafshëve shoqëruese do t’u vendoset një mikroçip në lëkurë, i cili do të përmbajë të dhënat e kafshës dhe të pronarit.
Drejtori i Shëndetit dhe Mirëqenies së Kafshëve, Sadik Heta, thotë se regjistrimi dhe identifikimi i kafshëve shoqëruese është i domosdoshëm dhe se në ketë udhëzim ka edhe ndëshkime për pronarët që nuk regjistrojnë kafshët shoqëruese.
“Çdo pronarë i cili mban kafshë shoqëruese apo qen është i obliguar me ligj që ta bëjë identifikimin dhe regjistrimin e kafshës së tij. Ky udhëzim administrativ specifikon edhe sanksionet në rast se një pronar nuk e bënë identifikimin dhe regjistrimin e qenit të tij. Ambulantat veterinare të kontaktuara nga AUV janë subjekte që do të bëjnë implementimin në teren të këtij udhëzimi” , tha ai për KP.
Elza Ramadani nga “Fondacioni i të drejtave të kafshëve” thotë se e kanë parë të domosdoshme regjistrimin e kafshëve shoqëruese, sidomos të maceve dhe qenve. Pasi që vazhdimisht qenë të rinj po shihen në rrugë dhe se ky udhëzim administrativ parasheh edhe ndëshkimin e pronarëve në rast se braktisin këto kafshë.
“Ne e kemi parë si më urgjente përfshirjen e qenve dhe maceve, sidomos qenve sepse po e shohim gjendjen e qenve endacakë në rrugë…por kur shohim vazhdimisht qenë të rijnë në rrugë i bie që pronarët dhe mbajtësit e kafshëve vazhdimisht i braktisin kafshët e tyre dhe me ketë udhëzim administrativ do të thotë synohet që të parandalohet braktisja, të ndëshkohen ata që braktisin”, tha ajo.
Kafshëve shoqëruese me pronarë do t’u vendoset nga një mikroçip në lëkurën e tyre, ku në të do të përmbajë një numër serik personal për kafshën dhe gjithashtu do të përmbajë edhe të dhënat e pronarit.
“AUV duhet ta krijojë një data bazë shtetërore dhe duhet t’i kontraktojë subjektet veterinare. Veterinarët në këtë rast nëpër të gjitha komunat që ta kryejnë shërbimin në fjalë, vlen të cekët që shërbimi është pa pagesë për pronarët…Mikroçipi çka përmban është një numër serik personal unik për secilën kafshë… me atë numër pastaj ndërlidhen edhe të dhënat e pronarit, se ka shumë rëndësi që ai numër të ndërlidhet me të dhënat e mbajtësve, pronarëve sepse ashtu edhe ndëshkohen nëse i braktisin në mënyrë të papërgjegjshme”, tha ai.
Kujtojmë se nuk janë të rralla rastet kur qentë endacakë kanë sulmuar qytetarë, duke u shkaktuar lëndime trupore. Po ashtu, një shqetësim te qytetarët po shkaktojnë edhe kafshët shoqëruese të cilat përbëjnë rrezik permanent për jetën e qytetarëve./Gazeta Sinjali/