image Ministria e Bujqësisë përballet me mungesë stafi si pasojë e rastit "Subvencionet"

Kosovë

Ministria e Bujqësisë përballet me mungesë stafi si pasojë e rastit “Subvencionet”

news image

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci ka thënë se nuk ka informacione nëse do të ketë aksione të tjera të organeve të rendit sa i përket arrestimeve për keqpërdorime me subvencione.

Peci ka thënë se kjo është punë e institucioneve të drejtësisë, por që thotë se arrestimet e fundit kanë pasur ndikim parandalimin e abuzimit financiar që ka ndodhur qe një kohë të gjatë në këtë ministri.

Ai po ashtu ka thënë se po përballen me mungesë të stafit sepse një numër i madh i atyre zyrtarëve janë në arrest shtëpiak ose janë duke u përballur me kallëzime penale.

Sipas tij, sfidat më të mëdha kanë qenë borxhet e shumta, kërkesat e vazhdueshme të fermerëve dhe impakti që ka pasur pandemia. Ai ka thënë se kanë bërë shumë punë duke filluar nga shlyerja e borxheve dhe avancimi i legjislacionit, raporton EO.

“Borxhet e shumta, mungesa e stafit, kërkesat e vazhdueshme të fermerëve, impakti që ka pasur pandemia, të gjitha këto kanë qenë sfida shumë të larta përveç që kemi arritur të shlyejmë borxhet dhe kjo nuk ish arritur pa përkrahjen e Qeverisë në këtë rast kryeministrit Kurti dhe ministrit të Financave. Ne kemi arritur që t’i shlyejmë borxhet dhe të ndajmë mjete shtesë dhe të implementojmë programin”.

“Kështu që kemi bërë shumë punë njëkohësisht prej atyre që kanë qenë më urgjente dhe që nënkupton shlyerjen e borxheve, kemi avancuar legjislacionin dhe kemi hartuar koncept dokumente të reja dhe për herë të parë ministria hynë në vitin 2022 me strategji për bujqësi dhe zhvillim rural”, është shprehur ai.

Ditë më parë Policia e Kosovës ka arrestuar 31 persona të dyshuar për dallavere me subvencionet në bujqësi. Kurse në aksionin e 24 shkurtit që ishte zhvilluar në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë dhe në disa komuna ishin arrestuar 12 persona, me dyshimin për keqpërdorim të subvencioneve keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje ryshfeti.

Gjatë këtij aksioni janë sekuestruar qindra mijëra euro të cilat ishin gjetur në shtëpitë e të arrestuarve./GazetaSinjali/