image Udhëtimi me tren nga Peja lejohet, por jo për të gjithë qytetarët

Kosovë

Udhëtimi me tren nga Peja lejohet, por jo për të gjithë qytetarët

news image

Udhëtimet me tren për nga Peja në Prishtinë dhe anasjelltas kanë filluar me lehtësimin e masave, pra më 18 maj, ku në njoftimin e TrainKos thuhet se duhet të respektohen vendimet e Ministrisë së Shëndetësisë si dhe orari i qarkullimit të lëvizjes.

Pra, udhëtimi i qytetarëvë të bëhet në bazë të shifrës së parafundit në leternjoftim, kështu shkruan në njoftimin e TrainKos në Facebook, shkruan Gazeta Sinjali.

Mirëpo, orari i trenit është nga ora 5:30 e mëngjesit the kthimi është nga Prishtina në ora 16:30, pra orari i nisjes nuk përputhet me orarin e vendimit të MSH-së, që qarkullimi i qytetarëve të bëhet nga ora 07:00 e mëngjesit.

Gazeta Sinjali ka kontaktuar me kompaninë TrainKos, ku thonë se qarkullimi i këtij treni është në përputhje të plotë me dokumentet zyrtare Hekurudhore (OLT- Orari I lëvizjes së trenave) dhe e njëjta është në harmoni të plotë me Marrëveshjes së OShP-së 2018 – 2022 e nënshkruar me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ambientit e cila është përgjegjëse për aprovimin e linjave në Transportin e Udhëtarëve.

“Gjithashtu, linja e Pejës është lëshuar në funksion pas ndërprerjes me rekomandim të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Ambientit bashkë me kërkesën për të respektuar të gjitha rekomandimet e institucioneve tjera për masat mbrojtëse”, thuhet në përgjigjen e TrainKos.

TrainKos thotë se vetëm punëtorët që kanë leje të veçantë për qarkullimin e lëvizjes mund të udhëtojnë me tren, në orët e hershme të mëngjesit. Përndryshe, kjo nuk vlen për qytetarët e tjerë, por vetëm për ata që punojnë.

Gazeta Sinjali ka kontaktuar edhe me Ministrinë e Shëndetësisë, ku thonë se TrainKos nuk ka nevojë të ndryshojë orari dhe duhet t’i përmbahet të njëjtit.

“Me tren udhëtojnë punëtorët e shërbimeve esenciale, të cilët nuk kanë ndalesa në qarkullim, mjekët, infermierët, policët, fsk, punonjësit esencial të shërbimeve të administratës publike dhe të subjekteve të tjera të cilët janë lejuar të punojnë edhe gjatë fazës së pandemisë si shërbime esenciale”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Po ashtu në përgjigjen e MSH-së thuhet se “Mbajtja e kësaj linje nuk është në kundërshtim me masat e MSH-së, sepse orari i përpiluar ka të bëjë me qytetarët të cilët e kanë të lejuar qarkullimin vetëm 2 x2 orë në ditë, por jo edhe për punëtorët e shërbimeve esenciale, të cilët kanë punuar që nga fillimii pandemisë dhe atyre që iu është lejuar punë në ndërkohë”.

Gazeta Sinjali ka tentuar të marrë përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë rreth sqarimit të udhëtimit të transportit, pasi qytetarët janë njoftuar se mund të udhëtojnë me tren që nga 18 maji, pra nuk është njoftuar se kjo lëvizje vlen vetëm për punëtorët e shërbimeve esenciale.

Gazeta Sinjali nuk ka marrë asnjë përgjigje për këtë, përderisa, nga përgjigjet e MSH-së dhe Trainkos, kjo lëvizje bëhët vetëm për punëtorë./Gazeta Sinjali/