Lilana Shubariq dhe Katarina Ristiq janë dy gratë e vetme që do të udhëheqin Graçanicën, përkatësisht Ranillugun për katër vjetët e ardhshëm.
Shubariq dhe Ristiq, që vijnë nga partia politike Lista Serbe, kanë fituar në rundin e parë të zgjedhjeve lokale, që janë mbajtur më 17 tetor.
Në rundin e dytë të 14 nëntorit, Mimoza Kusari-Lila, kandidate e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Gjakovës, ka humbur përballë kundërkandidatit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini.
Në garë për zgjedhjet lokale kanë qenë gjithsej 14 gra dhe 152 burra.
Sipas Luljeta Demollit, drejtoreshë ekzekutive në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore, partitë politike nuk e kanë prioritet barazinë gjinore.
“Edhe kësaj here u dëshmua se barazia gjinore nuk shihet si vlerë në nivelin lokal. Për këtë gjë fajin 100 për qind e kanë partitë politike dhe askush tjetër, pasi nuk kanë kandiduar numër të barabartë të grave dhe burrave”, thotë Demolli për Radion Evropa e Lirë.
Përpara mbajtjes së zgjedhjeve lokale, Rrjeti i Grave të Kosovës ka kërkuar nga subjektet politike që të zbatojnë Ligjin për barazi gjinore. Ky ligj parasheh përfaqësim: 50 për qind burra dhe 50 për qind gra.
Gresa Sermaxhaj, nga ky rrjet, thotë se përveç moszbatimit të këtij ligji, gratë i pengojnë edhe barriera të tjera.
“Nuk kanë hapësirë të barabartë sikurse burrat brenda partive, organeve partiake dhe, e dyta, nuk kanë mjete financiare të mjaftueshme për të bërë fushatë, për të paraqitur programin dhe për të arritur te votuesit”, thotë Sermaxhaj. /GazetaSinjali/