image Udhëheqësit e G7-ës pajtohen t'i shtojnë sanksionet kundër Rusisë

Botë

Udhëheqësit e G7-ës pajtohen t’i shtojnë sanksionet kundër Rusisë

news image

Gjatë një samiti në Japoni më 19 maj, krerët e vendeve të industrializuara të Grupit Shtatë (G7) njoftuan për zgjerimin e sanksioneve kundër Rusisë. Në të njëjtën kohë, zyrtarët ukrainas të sigurisë konfirmuan se presidenti Volodymyr Zelensky do të marrë pjesë në këtë takim që po zhvillohet në Hiroshimë.

G7-ta përbëhet nga Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara.

Udhëheqësit e G7-ës thanë në një deklaratë të përbashkët se sanksionet e reja do të ndikojnë në “eksportet e makinerive industriale, mjeteve dhe teknologjive të tjera që Rusia përdor për të rindërtuar makinerinë e saj të luftës”.

Në këtë deklaratë thuhet se grupi do të vazhdojë të punojë për të pakësuar të ardhurat që Rusia i fiton nga tregtia e saj në metale dhe diamante.

Më herët gjatë ditës Britania njoftoi sanksione të reja kundër 86 qytetarëve rusë dhe subjekteve juridike që synojnë teknologjitë e avancuara ushtarake dhe importet e diamanteve për të shkurtuar “burimet e të ardhurave” të Moskës.

Më herët, një zyrtar i lartë ukrainas i sigurisë tha se Zelensky do të marrë pjesë personalisht në samitin e G7-ës.

“Gjëra shumë të rëndësishme do të vendosen atje dhe prandaj presidenti jonë do të jetë i pranishëm, që është absolutisht thelbësore për të mbrojtur interesat tona”, tha për televizionin shtetëror Oleksiy Danilov, sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës.

Zelensky do të marrë pjesë në mbledhjen më 21 maj, ditën e tretë dhe të fundit të samitit.

Ndërkohë, Zelensky bëri të ditur se ka mbërritur më 19 maj në qytetin e Arabisë Saudite, Jedah, për të marrë pjesë në një samit të Ligës Arabe.

“Duke filluar vizitën time të parë ndonjëherë në Mbretërinë e Arabisë Saudite për të përmirësuar marrëdhëniet dypalëshe dhe lidhjet e Ukrainës me botën arabe”, shkroi ai në Twitter, duke shtuar se do të takohej me Princin e Kurorës Saudite, Mohammed bin Salman.

/GazetaSinjali/