image Udhëheqësi i ISIS-it, Bagdadi besohet se ka vdekur pas sulmit amerikan në Siri

Siguri

Antiterrorizëm/ Udhëheqësi i ISIS-it, Bagdadi besohet se ka vdekur pas sulmit amerikan në Siri

news image

Udhëheqësi i Shtetit Islamik, Abu Bakr al-Bagdadi besohet se ka vdekur pas një sulmi ushtarak amerikan në rajonin e Sirisë, Idlib, njoftojnë mediet amerikane.

Bagdadi mund ta ketë vrarë veten me një jelek vetëvrasës teksa zbritën forcat e operacioneve speciale amerikane, bëjnë të ditur mediat duke cituar burime të shumta qeveritare, shkruan Gazeta Sinjali.

Sipas informacioneve zyrtare, ai ishte shënjestra e operacionit të planifikuar në fshehtësi dhe të aprovuar nga Presidenti Donald Trump.

I ndjekur për një kohë të gjatë nga koalicioni i udhëhequr nga SH.B.A. kundër Shtetit Islamik (IS), Bagdadi është raportuar gabimisht se ka vdekur disa herë gjatë viteve të fundit.

Zyrtarët i thanë ABC News se po punojnë për të identifikuar të vrarët në sulm.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se Trump do të bëjë një “deklaratë të madhe” të dielën në orën 9:00 (13:00 GMT), pa dhënë detaje.

Bagdadi, një vendas i Irakut rreth 48 vjeç, ndërtoi lëvizjen e dhunshme xhihadiste në një forcë të fuqishme, në vitin 2014 duke shtrirë territorin e vet të “Kalifatit” në Siri dhe Irak.

Ai u fajësua për vdekjen e mijëra civilëve, ekzekutime masive dhe për krime lufte.

Bagdadi ka qenë në arrati pasi koalicioni i udhëhequr nga SH.B.A. ngadalë shkatërroi organizatën e këtij grupi dhe e rrëzoi atë nga territori i tij i pretenduar në një fushatë dy-vjeçare, duke shpallur përfundimisht fitoren ndaj ISIS në Mars të këtij viti.

Shtetet e Bashkuara kishin paralajmëruar një shpërblim prej 25 milionë dollarësh për sigurimin e informacioneve mbi vendndodhjen e tij.

Në video dhe audio mesazhe të rralla, këtë vit, Bagdadi u bëri thirrje luftëtarëve të ISIS që të riorganizohen dhe të përpiqen të çlirojnë mijëra shokë të tyre të kapur nga Forcat Demokratike Siriane të aleatëve amerikanë në verilindje të Sirisë./ Gazeta Sinjali/