Profesorët në gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë tash e katër ditë po e bojkotojnë procesin mësimor, në shenjë pakënaqësie ndaj mënyrës së emërimit të drejtoreshës së re Fahrije Retkoceri.
Profesorët po e kundërshtojnë emërimin e drejtoreshës duke thënë se është emëruar jashtëligjshëm.
Retkoceri ka folur për Ekonomia Online lidhur me këtë çështje, derisa ka deklaruar se për shkak që është femër është e padëshiruar nga mësimdhënësit.
Ajo thotë se nga ta ka marrë edhe kërcënime me jetë.
“Nuk është e drejtë, nxënësit duhet të kthehen në bankat shkollore, dhe ajo çfarë po ndodh nuk është kompetencë e mësimdhënësve e as e imja, por janë organet kompetente më lartë. Arsyeja përse jam e padëshiruar për ta është se jam femër”, ka deklaruar ajo.
“Kam pasur takime dhe jam kërcënuar nga ta dhe tash jam larguar nga takimi me ta. Kërcënim që nuk guxon me hy brenda, kjo është salla jonë e shumë kërcënime tjera. Unë e kam një kontratë dhe nuk kam dashur të dal para mediave dhe t’i trazoj nxënësit dhe prindërit e sidomos familjen time, edhe kjo ka qenë vetëm pse jam femër”, ka thënë Retkoceri.
Tutje, ajo ka apeluar që “mos të manipulohen nxënësit dhe prindërit nga një grup i caktuar, ndërsa zgjidhjen po e bëjnë se bashku ministria e Arsimit dhe komuna e Prishtinës”.
Kundër kolegëve të kësaj shkolle, ka dalë profesoresha e Kimisë, Florie Rusinovci, e cila që nga fillimi i kësaj greve ka mbajtur procesin e mësimit.
Ajo ka thënë se nuk pajtohet me këtë bojkot, teksa ka shtuar se me emërimin e drejtoreshës duhet të merret DKA-ja e jo mësimdhënësit.
“Në këtë formë nuk po pajtohem, nuk është në natyrën tonë dhe ka kush merret me këtë punë dhe çdo humbje e mësimit është humbje kohe, e sidomos për mësimdhënësit. Kush e ka sjellë këtë drejtoreshën këtu edhe mundet ta largojë dhe personalisht nuk mundem të bëj asgjë e as stafi, pra ajo është ajo zgjedhur nga DKA-ja dhe ata e largojnë, dhe unë pajtohem me këtë vendim të saj”, ka deklaruar ajo.
“Apeli im është që kolegët e mi të kthehen në mësim dhe mjaftë që një muaj kemi humbur mësimin për një muaj. Nuk ma ka marrë vendin e punës dhe asgjë, dua ta respektojë kontratën e punës, kjo është e tëra”, tha ajo.
Lidhur me këtë bojkot të procesit mësimor, Këshilli i Prindërve në Prishtinë, kanë mbajtur mbledhje në këtë shkollë, të cilët kanë thënë se kërkesat e mësimdhënësve për bojkotimin e mësimit në gjimnazin “Sami Frashëri”, janë të pajustifikueshme.