image U kafshua nga qentë endacakë në Pejë, komuna obligohet t’ia kompensojë dëmin mbi 3 mijë euro

Siguri

U kafshua nga qentë endacakë në Pejë, komuna obligohet t’ia kompensojë dëmin mbi 3 mijë euro

news image

Gjykata Themelore në Pejë ka aprovuar pjesërisht kërkesëpadinë e paditëses F.S, me të cilën obligohet Komuna e Pejës që t’ia kompensojë dëmin në shumën 3 mijë e 200 euro, për shkak të kafshimit nga qentë endacakë në qytetin e Pejës.

Aktgjykimi është marrë nga gjyqtarja e çështjes Merita Baloku, e cila ia aprovoi pjesërisht kërkesëpadinë e paditëses F.S, duke e detyruar të paditurën Komunën e Pejës, t’ia paguajë shumat e specifikuara e atë në përgjithësi prej 3 mijë e 200 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas padisë së ushtruar më 13 korrik 2020, paditësja F.S po kërkon kompensimin e dëmit në vlerë prej 5 mijë euro, nga e paditura Komuna e Pejës.

Sipas padisë, në Pejë, në rrugën “Anton Çeta”, e në afërsi të shkollës fillore “Dardania”, më 30 maj 2020, rreth orës 08:30, derisa paditësja ishte duke ecur nëpër rrugën e asfaltuar, dy qentë endacak, e sulmojnë dhe kafshojnë në pjesë të ndryshme të trupit, andaj e njëjta me ndihmën e kalimtarëve të rastit mezi arrin që t’i largojë qentë.

Në padi thuhet se si pasojë e lëndimeve të pësuara nga kafshimi i qenve në këmbë dhe në krahë, paditësja ishte dërguar në Q.M.F. “Dardania”, në Pejë, ku mjeku pas ndërmarrjes së veprimeve përkatëse mjekësore ka konstatuar se në trupin e paditëses nga kafshimi i qenve ishin shkaktuar plagë dhe vrragë të theksuara, për çka urgjentisht i është rekomanduar që ta marrë serumin kundër helmimit.

/GazetaSinjali/