Kolektivi i shkollës së mesme ekonomike “Faik Konica” në Ferizaj ka muaj që e ka dorëzuar në zyrën e kryetarit të komunës, Agim Aliu, një peticion rreth shkarkimit të sekretarit të shkollës, Milazim Dërgutit.
Në letrën dërguar DKA-së në Ferizaj dhe kryetarit Aliu, kërkohet largimi i menjëhershëm nga puna i sekretarit të shkollës, me pretendimet se i apostrofuari, nuk ka sjellje të mira me kolegët dhe nuk është bashkëpunues.
Gazeta Sinjali ka kontaktuar me sekretarin e shkollës “Faik Konica”, Milazim Dërgutin. Ai tha se peticioni i dërguar kundër tij, është krejtësisht i pabazë dhe i paarsyeshëm.
“E gjithë kjo çështje ka filluar me 3 dhjetor të vitit 2021, kur edhe është dorëzuar peticioni kundër meje. Veprimi i tyre mund të quhet si lloj revolte ose shenjë paknaqësie në dyshimin që unë kam insistuar që të mos i vazhdohet mandate ish-zëvendës drejtorit të shkollës. I rëndësishëm është fakti se peticioni është nënshkruar vetëm nga rrethi i ngushtë i zëvendës drejtorit”, tha për Sinjalin, Milazim Dërguti.
Sipas tij, Drejtoria Komunale e Arsimit e rregullon përmes urdhërit administrativ mos vazhdimin e kontratave dhe është organi kompetent për vlerësimin e performancës së udhëheqësve të shkollave, së bashku me inspektoratin e arsimit.
Lidhur me raportet e tij me kolektivin e shkollës që e kanë nënshkruar peticionin, sekretari Dërguti, mendon se komunikimet nuk janë relevante për procesin e punës.
“Nuk merrem me raportet në kolektiv por me detyrat me të cilat më ngarkon vendi i punës, për të cilat jap llogari morale dhe ligjore. Nuk është kjo çështje e rëndësishme e as relevante”, tha Dërguti për Sinjalin.
Gjatë ditës, redaksia e Sinjalit ka tentuar të kontaktoj edhe me drejtorinë për Arsim në Komunën e Ferizajt por ky i fundit nuk ka pranuar të prononcohet rreth peticionit dhe se si është trajtuar deri sot kjo çështje.