image U caktohet paraburgim 4 personave të dyshuar për trafikim me njerëz në Pejë

Drejtësi

U caktohet paraburgim 4 personave të dyshuar për trafikim me njerëz në Pejë

news image

Gjykata Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, ka bërë të ditur se ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve I.M., E.Z., M.I. dhe J.A. dhe caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj të pandehurës M.XH..

Personat e cekur dyshohet se më datë 12.10.2021 e në vazhdimësi gjerë me datë 16.10.2021, kanë vepruar si grup i organizuar, duke marrë pjesë në trafikimin e qenieve njerëzore dhe atë të një të dëmtuare, të cilën nën kërcënimin dhe përdorimin e forcës e vejnë në shfrytëzim për përfitim material përmes shërbimeve seksuale me pagesë me personat e tjerë.

Me këto veprime të pandehurit kishin për të kryer veprën penale trafikim me njerëz.

“Të pandehurve I.M., E.Z., M.I. dhe J.A. iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj ndërsa, të pandehurës M.XH. i është caktuar masa e arrestit shtëpiak, në kohëzgjatje prej një muaj, pasi që gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi se të njëjtit kanë kryer veprën penale për të cilën dyshohen”, thuhet në njoftim.

Tutje bëhet e ditur se në këtë çështje ende nuk janë dëgjuar dëshmitarët, nuk janë kryer ekzaminimet mjekësore dhe provat e tjera që janë të rëndësishme për hetim andaj, me gjetjen e mundshme të pandehurve në liri ekziston rreziku që të njëjtit të ndikojnë në dëshmitarë dhe të pengojnë rrjedhën pa pengesa të procedurës.

Gjykata sipas detyrës zyrtare vlerësoi edhe masat tjera alternative për sigurinë e pranisë së të pandehurit në procedurë, mirëpo gjeti se në këtë fazë të procedurës asnjë masë tjetër alternative nuk do të ishte adekuate.

Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit./GazetaSinjali/