image U bënë llom mes vete në mes të rrugës, këta janë pesë personat që u arrestuan në Pejë

Siguri

U bënë llom mes vete në mes të rrugës, këta janë pesë personat që u arrestuan në Pejë

news image

Gazeta Sinjali sot ka raportuar për një rrahje brutale mes të rinjve, të cilët pas një mosmarrëveshje në komunikacion kanë dalë nga veturat e tyre dhe kanë sulmuar fizikisht njëri-tjetrin. Të dyshuarit të cilët ishin edhe nën ndikim të alkoolit, janë arrestuar dhe kanë përfunduar në ndalim policor.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se pesë të dyshuarit në këtë rast janë Halit Agaj 29-vjeçar, Irfan Beqiraj 36-vjeçar, Shkendrit Islamaj 31-vjeçar, Besfort Qeku 29-vjeçar dhe Besnik Qeku 22-vjeçar.

Pesë të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor dhe me urdhër të prokurorit ata janë dërguar në mbajtje për 48 orë. Të njëjtit do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e dy veprave penale ‘Sulm’ dhe ‘Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë’.

Por si kishte ndodhur i gjithë rasti?

Mbrëmë pas mesnate në rrugën ‘Mbretëresha Teutë’ në Pejë, pesë të dyshuarit Halit Agaj 29-vjeçar, Irfan Beqiraj 36-vjeçar, Shkendrit Islamaj 31-vjeçar, Besfort Qeku 29-vjeçar dhe Besnik Qeku 22-vjeçar kanë përfunduar në prangat e Policisë për shkak se u përfshinë në një përleshje brutale mes vete.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se mosmarrëveshje mes të dyshuarve, tre në njërën anë dhe dy në anën tjetër ka nisur derisa ishin në komunikacion, në veturat e tyre. Për një fjalë goje aty dyshohet se u kapën dhe më pas dolën nga veturat duke e sulmuar njëri-tjetrin me grushte, saqë njëri prej tyre e theu xhamin e veturës së të dyshuarit tjetër.

Sulmi brutal mes tyre nuk ndaloi as pasi Policia intervenoi në vendin e ngjarjes dhe urdhëroi nga të dyshuarit që të ndalen. Sinjali mëson se të njëjtit nuk kanë zbatuar urdhrat e Policisë, ashtu që kanë vazhduar ta godasin njëri-tjetrin derisa zyrtarët policorë u detyruan të përdorin sprej, për t’i vënë nën kontroll.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/