Ndotja e vazhdueshme e ambientit nga Korporata Energjetike e Kosovës, është bërë e padurueshme për qytetarët e Obiliqit dhe rrethinës. Tymi i zi që del nga oxhaqet e termocentraleve të KEK-ut, po e rrezikon shëndetin e qytetarëve në përmasa alarmante, por deri më tani asnjëherë nuk u gjet zgjidhje për këtë problem.
Niveli i ndotjes nga KEK-u është rritur këto ditë edhe më shumë për shkak të fillimit të pastrimit të kazanit të bllokut A3 i cili për 4 muaj ka qenë në remont.
Ambientalistët shprehen se veprimet e menaxhmentit të KEK-ut po krijojnë pasiguri dhe rrezikshmëri për shëndetin e banorëve të Obiliqit dhe të rrethinës.
Ambientalisti, Daut Maloku, thotë se tmerri me ambientin që ndodhi të hënën paradite në KEK, tregon se institucionet e shtetit fatkeqësisht nuk janë duke i zbatuar ligjet në fuqi.
“Është e rrezikshme mjaft, gabimi ishte i autoriteteve të vet KEK-ut, që në këtë kohë, në vapë kaq të madhe dhe kur presioni i ajrit ishte aq i lartë dhe gjithë ajo ndezje që është bërë me naftë dhe teknikisht është e pa mundur të futen në përdorim filtrat, andaj pa filtra digjet nafta bruto dhe del të formohen ato ‘re’ shumë të dëmshme. Mirëpo, gabimi ishte i tyre”, thotë Maloku.
Shqetësim për këto veprime të KEK-ut, kanë shprehur edhe drejtues të Komunës së Obilqit
Kryetari i kësaj komune Xhafer Gashi thotë se Korporata Energjetike e Kosovës është shndërruar në një vullkan për dëmtimin e shëndetit të qytetarëve në Obiliq dhe në komunat përreth.
“Ne kemi dërguar shkresë nga drejtoria e Ambientit dhe nuk kemi marrë ndonjë përgjigje, mirëpo kjo nuk ishte risi për neve. KEK-u pas operacionit, në fashtin Dardhishtë më së miri tregon se çfarë dëmi është duke shkaktuar nga zhurma (me shirita), me pluhur në Hade, Hamidi, Lejthisht dhe gjithë andej është ndotje… Unë i bëj apel edhe KEK-ut dhe ministrive përkatëse që të zbatojnë ligjet të cilat janë në fuqi, në këtë rast ligji për Obiliqin e specifikon jashtëzakonisht mirë rripin e sigurisë, i cili me krijimin bankinës apo një muri, apo mbjellja e tij me drunjë do t’i ndalonte shumicën e të këqijave që i shkaktohen kësaj zone”, thotë Gashi.
Derisa zyrtarë të KEK-ut me anë të një komunikate e kanë arsyetuar tymin e zi dhe e kanë quajtur si të zakontë, nuk kanë pranuar të flasin për të dhënë më shumë sqarime rreth kësaj çështje dhe mos futjen e filtrave në përdorim.
Ministri në detyrë i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatimir Matoshi thotë se ka kërkuar nga Inspektorati i Ministrisë që të bëjë inspektimin për të verifikuar gjendjen reale dhe sipas legjislacionit në fuqi të intervenojnë.
“Jemi plotësisht të vetëdijshëm për gjendjen jo të mirë të termocentralit Kosova B, dhe për këtë dhe kemi kërkuar vazhdimisht që të mos këtë vonesa në fillimin e projektit për ndërrimin e filtrave në këtë termocentral. Krahas kësaj MMPH është duke investuar në zonën përreth këtij termocentrali në projekte mjedisore që sado pak do të ndikojnë në reduktimin e ndotjes së ajrit dhe ruajtjen e shëndetit të qytetarëve”, ka thënë Maoshi.
Ndotja e lartë e ajrit nga termocentralet KEK-ut, është bërë shkaktar i sëmundjeve të shumta për banorët e Obiliqit dhe rrethinës, gjendje kjo e cila po vazhdon për dy dekada./Sinjali/