Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, njoftoi se ora policore do të shfuqizohet nga data 1 korrik, pasi vendi regjistroi rënie të numrit të rasteve me koronavirus.
Sidoqoftë, Erdogan tha se sallat e koncerteve dhe sallat e tjera ku luhet muzikë duhet të mbyllen para mesnatës pasi, siç tha ai, “askush nuk ka të drejtë të shqetësojë të tjerët”.
“Nga 1 korriku, kufizimet për të dalë do të hiqen plotësisht”, tha Erdogan në një fjalim televiziv.
Kufizimet e vendosura për shkak të pandemisë u lehtësuan më 1 qershor, kur restorantet dhe kafenetë u rihapën. Sidoqoftë, ora e ndalimit në mbrëmje ishte ende në fuqi nga ora 22:00 dhe gjatë të dielave.
Turqia regjistroi sot 5 mijë e 200 raste të reja dhe 51 vdekje, pasi arriti kulmin e më shumë se 60 mijë të infektuarve çdo ditë në fillim të prillit.
Vendi me 83 milionë banorë ka përshpejtuar vaksinimin e popullatës me Pfizer/BioNTech javët e fundit, si dhe vaksinën kineze CoronaVac. Deri më tani, 28.1 milionë persona në Turqi kanë marrë dozën e parë të vaksinës dhe 14.4 milionë dy doza./Gazeta Sinjali/