image Turqia sfidon UEFA-n me festimin e golit kundër Francës

Futboll

Turqia sfidon UEFA-n me festimin e golit kundër Francës

news image

Nuk kishte incidente brenda dhe jashtë stadiumit, nuk pati as fitues në Francë -Turqi (1-1). Me pak fjalë, ndeshja e luajtur mbrëmë në “Stade de France” dukej pothuajse normale. Ndodhi krejt ndryshe nga sa proklamohej para lojës, se priteshin tensione, nisur nga ofensiva luftarake e forcave të armatosura turke në territoret kurde të Sirisë.

Ky operacion ushtarak është kundërshtuar nga presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili preferoi të mos merrte pjesë në ndeshje. Edhe pse rezultati përfundimtar nuk i kënaqi plotësisht palët, pasi duhet të priten ndeshjet e radhës për të zyrtarizuar kualifikimin në “Euro2020”, Franca dhe Turqia e kanë hedhur njërin hap në finalet e kompeticionit të vitit të ardhshëm.

Në fund të sfidës, njolla e vetme ishte ajo që la kombëtarja turke, e cila shkoi para sektorit të stadiumit, ku ndodheshin tifozët e saj, për të festuar me përshëndetjen e zakonshme ushtarake, e parë tashmë edhe në fitoren kundër Shqipërisë.

Mbetet të shihet se si do të reagojë UEFA, nëse do të ketë penalizim për Turqinë, sepse interferimi i futbollit me politikën dhe gjëra të tjera të këtij lloji nuk tolerohen nga qeveria evropiane e futbollit.

Nëse ndaj Shqipërisë, përshëndetja ushtarake e futbollistëve turq mund të kalonte pa u ndier, përsëritja e saj me siguri ka sfiduar seriozisht rregullat e UEFA-s, reputacionin e saj, ndaj priten masa të rrepta./Gazeta Sinjali/