Autoritetet turke kanë lëshuar urdhërarrest për 118 persona, të dyshuar për lidhje me një rrjet që Ankaraja e akuzon për puçin e dështuar të vitit 2016. Shumica prej të arrestuarve janë anëtarë të ushtrisë dhe forcave të sigurisë.
Arrestimet e personave të dyshuar për lidhje me klerikun Fetullah Gylen po vazhdojnë që nga puçi i dështuar i korrikut të vitit 2016, kur 250 persona ishin vrarë, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Sinjali.
Zyra e prokurorit në Turqi ka njoftuar se janë lëshuar urdhërarreste për 42 pjesëtarë të personelit të ushtrisë dhe xhandarmërisë pas rezultatit të deklaratave të të ndaluarve të tjerë dhe analizave të bisedave telefonike. Në mesin e tyre ishin 24 zyrtarë që tash për tash janë në detyrë.
Në një operacion tjetër, prokuroria e ka kërkuar arrestimin dhe ndalimin e 76 personave nga personeli civil dhe ushtarak nën akuzën se përmes telefonave kanë kontaktuar anëtarë të rrjetit. 74 prej tyre janë ende në detyrë.
Në listën e personave që kërkohen për t’u arrestuar ka pjesëtarë të forcave tokësore, ajrore dhe detare. Aty gjendet edhe një kolonel dhe tre lejtnantë./Gazeta Sinjali/