image Turqia arreston tre të dyshuar si pjesëtarë të ISIS-it

Botë

Turqia arreston tre të dyshuar si pjesëtarë të ISIS-it

news image

Autoritetet turke kanë ndaluar tre persona me dyshimin se i përkasin grupit militant ekstremist, Shteti Islamik (ISIS) dhe se të njëjtit po planifikonin sulme në Turqi.

Arrestimet ndodhën dy ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi se lideri i ISIS-it, Abu Bakr al-Baghdadi është vrarë gjatë një operacioni të forcave speciale amerikane në veri-perëndim të Sirisë.

Raportohet se tre të dyshuarit po planifikonin sulme në Stamboll, gjatë festimeve të Ditës Kombëtare të Turqisë.

Të martën, turqit festojnë 96 vjetorin e themelimit të Republikës laike turke që pasoi Perandorinë Osmane.

Njësitë e policisë antiterror dhe të inteligjencës turke përcaktuan se të dyshuarit, kishin qenë në kontakt me njerëz, që do të siguronin mbështetje logjistike për sulmin, njoftoi agjencia Anadolu.

Ende nuk është e qartë nëse sulmi i planifikuar ishte i ndërlidhur me vrasjen e udhëheqësit të IS-it, Abu Bakr al-Baghdadi.

Turqia ka thënë se ka ndarë informacione me Shtetet e Bashkuara – aleatin e saj të NATO-s – përpara sulmit në veri të Sirisë dhe se është krenare që ka ndihmuar në sjelljen e “një terroristi famëkeq para drejtësisë”./Gazeta Sinjali/